Viktimat e LIIB-së Mbesin Jashtë Projektligjit

Komisioni për Shëndetësi më së largu deri të premten do ta ketë para vetës raportin me amendamentet e përgatitura për Projektligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre.

Kështu ka thënë eksperti Emrush Ujkani, duke treguar se në cilësinë e vëzhguesit i kanë definuar kategoritë.

Kryetarja e Komisionit, Flora Brovina, ka thënë se kanë kërkuar që edhe ushtarët e vrarë gjatë kohës së dhunës Millosheviqit të numërohen në këtë kategori.

“Numri i të rënëve është 245 dhe numri i invalidëve është 250 prej kohërave të vitit ‘56 e tutje të cilët humbën jetën duke qenë në protesta, burg ose rrethana tjera, duke kërkuar Kosovën Republikë dhe një status tjetër ndryshe nga ajo që e kishte. Ne mendojmë se është e padrejtë ta shpallim dikë hero të popullit dhe ai të mos ketë bazë ligjore”, tha Brovina.

Ujkani ka thënë se të vrarët në kohën e Millosheviqit duhet të futen në këtë kategori, duke përmendur edhe disa kategori të tjera.

“Sa i përket kategorizimit natyrisht që nuk jam kufizuar. Natyrisht kam shtuar edhe të gjithë ata ushtarë që janë vrarë në kohën e ish-Jugosllavisë për arsye se arsyeja e vetme ka qenë vetëm pse kanë qenë shqiptar apo kanë pasë një mendim ndryshe e që kanë qenë të kufizuar për ta thënë. Edhe ata që kanë marrë pjesë në protestë, ne e dimë se kemi një grup të tyre që janë vrarë dhe që kanë mbetë invalidë”, tha ai.

Ujkani tha se sa i përket aspektit kohor nuk guxojnë ta lidhim me Luftën e Dytë Botërore.

“Falë bashkëpunimit dhe bisedat që kam pasë edhe me kolegë të kësaj fushe nga Kroacia nuk guxojmë ta ndërlidhim me luftën e dytë botërore për arsye se duhet ta kemi parasysh që fuqitë perëndimore që përfaqësojnë vlerat e demokracisë në një kohë kanë qenë dhe e kanë luftu fashizmin si dhe grupet të cilat kanë bashkëpunuar me fashizmin me ushtrinë gjermane dhe italiane”, tha ai.

Komisioni gjithashtu si pikë të rendit të ditës e ka pasur edhe planin e veprimit për monitorimin e Ligjit për Shëndetësi. Kryetarja e Komisionit Flora Brovina tha se do të vizitohen institucionet shëndetësore për të monitoruar sa është duke u zbatuar Ligji dhe pastaj të bëhet një raport.