Presidenti Thaçi dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova hedhin betonin në themelin e ndërtesës së pikë-kalimit kufitar në Merdar - Foto: Presidenca

Vihet Gurthemeli i Pikë-Kalimit të Përhershëm Kufitar

Derisa ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e quajti vënien e gurthemelit në Merdar dhuratë për 9-vjetorin e Pavarësisë, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ua kujtoi krerëve më të lartë të shtetit se ndërtimi i kësaj pike nuk është garant dhe se duhet më shumë vullnet politik e rezultate në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

Në vënien e gurthemelit të ndërtimit të pikë-kalimit të përhershëm kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdar, i cili është i pari nga 6 të tillët të paraparë me Marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, u tha nga të gjithë se ky është rezultat i drejtpërdrejt i dialogut në Bruksel.

Presidenti Hashim Thaçi tha se ky gurthemel është edhe një dëshmi se dialogu duhet të vazhdojë dhe se me të Kosova e Serbia do t’i normalizojnë plotësisht marrëdhëniet e do të kenë njohje reciproke.

“Në këtë mënyrë jo vetëm që po i përmbushim standardet evropiane, por po e ulim ekonominë informale.  Me dialog dhe bashkëpunim çdo herë e më shumë po forcojmë subjektivitetin e shtetit”, tha ai.

Edhe kryeministri Isa Mustafa tha se vetëm me dialog zgjidhen problemet me fqinjët.

“Vlerësoj se ky është rezultat i drejtpërdrejt i dialogut. Edhe një dëshmi që ne duhet të vazhdojmë që me dialog t’i zgjidhim të gjitha problemet me fqinjtë”, tha shefi i ekzekutivit.

Ndërsa shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova tha se BE do të investojë 9.5 milionë euro në ndërtimin e pikave kufitare, por pati edhe porosi për krerët e shtetit.

“Jemi të vetëdijshëm se ndërtimi i kësaj pike nuk garanton se kërkesat janë plotësuar. Qeveria duhet të garantoj më shumë rezultate dhe vullnet politik në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, element kyç për investime të huaja”, tha ajo.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, u shpreh se Kosova është ndër shtetet e para të rajonit që ka vendosur menaxhimin e integruar të kufirit dhe se kjo dëshmon përkushtimin e vendit në integrimet evropiane e euroatlantike.

“Vënia e gurthemelit këtu në Merdarë është dhurata për ditëlindjen e 9-të të shtetit tonë. Ky është një gur më shumë në themelet e shtetit, sovranitetit dhe prosperitetit”, tha ajo.

Tahiri deklaroi se që nga viti 2011 autoritetet shtetërore kufitare mes Kosovës dhe Serbisë kanë rritur kontrollin dhe kanë përmirësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve e mallrave dhe kanë punuar në detektimin e dukurive negative në të mirë të të dyja shteteve.

Ajo tha se janë duke punuar edhe për dy pikat tjera kufitare, në Bërnjak e Mutivodë, që do të nisin së shpejti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hysen, tha se ky moment solemn është një hap para drejt fuqizimit të sovranitetit të shtetit dhe se me këtë do të ketë edhe kontroll më efikas të kufirit.

“Shohim me optimizëm kohën kur Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë e BE-së dhe pikë kalimet si ky do të mbesin pjesë e kujtesës”, tha ai.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i UNOPS-it, Jan Mattsson tha se pas 18 muajve do të bëhet hapja e këtij pikë-kalimi kufitar.

“UNOPS-i është i nderuar që ka mundësi të jetë partner implementues dhe të dizajnojë zhvillimin e 6 pikave kufitare. Pika në Merdarë do të jetë e hapur gjatë gjithë kohës së punimeve”, tha ai.

Në këtë ceremoni prezent ishte edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi; ministrat Enver Hoxhaj, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, përfaqësues të Policisë e Doganave dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë.

Marrëveshja e IBM është arritur më 3 dhjetor 2011. Menaxhimi i integruar i kufirit (IBM) është koncept evropian që duhet të aplikohet midis shtetesh që aspirojnë të hyjnë në BE si parapërgatitje për integrim në Zonën Schengen.

IBM, Njohje nga Serbia