Foto: Dogana e Kosovës/Facebook

Autobusët nga Italia e Austria - Dogana parandalon dy raste të kontrabandës së armëve dhe pajisje ushtarake

Dogana e Kosovës njofton se gjatë javës së kaluar ka zbuluar dy raste të tentimit të kontrabandës së armëve dhe pajisjeve tjera ushtarake në pikëkalimin kufitar në Merdarë.

Sipas një komunikate për media, zyrtarët kanë arritur të zbulojnë rastet “falë shënjestrimit profesional të hapësirave të autobusëve që kanë ardhur njëri nga Austria dhe tjetri nga Italia”.

“Zyrtarët kanë arritur të zbulojnë rastet falë shënjestrimit profesional të hapësirave të autobusëve që kanë ardhur njëri nga Austria dhe tjetri nga Italia. Në të dyja rastet zyrtarët kanë aplikuar kontrollat me skaner ku edhe janë identifikuar armët në mënyrë profesionale”- thuhet në njoftim.

Pas zbulimit, konform kompetencës ligjore, Dogana thotë se rastet i janë kaluar Policisë Kufitare për procedim penal ndaj personave përgjegjës.

“Tani që frekuentimi i vendkalimeve kufitare është shumë i lartë, zyrtarët doganor janë vënë në shërbim të qytetarëve tanë nga diaspora dhe njëherit janë të përkushtuar të zbatojnë kontrolla të shënjestruara, për të parandaluar keqpërdorimet e ngarkesës në vendkalime nga persona të prirë në kriminalitet. Ky është balanci që synon të mirëmbajë Dogana e Kosovës gjatë zbatimit të misionit të saj- kalim të lehtësuar por të sigurtë të kufirit shtetërorë”- thuhet më tej në njoftim.