Kolona të gjata në pikën kufitare në Merdarë. 07/01/2023. Foto: KALLXO.com

Pritje deri në 7 orë në Merdarë

Policia e Kosovës dhe Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar kanë kërkuar te mekanizmat ndërkombëtar që pala serbe t’i rrisë kapacitetet në pikat e kalimit kufitar, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata në kufi.

Sipas Policisë, përqëndrimi më i madh i automjeteve dhe personave që dalin nga Kosova është në pikë kalimin kufitar në Merdarë.

Ndërsa, sipas QKMK pritjet në dalje për në Serbi në Merdarë janë deri në 7 orë dhe kolona 4 kilometra e gjatë.

“Ju njoftojmë se pritjet në dalje për në Serbi në PKK Merdarë janë deri në 7 orë dhe kolona 4 kilometra e gjatë. Kjo për neglizhencën e palës serbe në kontrollin kufitar. Pala serbe është duke punuar vetëm me 2 zyrtar policor, njëri po merret  me një korsi  të autobusëve ndërsa tjetri me katër korsi të veturave” – thuhet në reagimin e QKMK-së.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka thënë se me kohë ka ndërmarrë masa duke angazhuar personel të mjaftueshëm, me qëllim të përshpejtimit dhe lehtësimit të qarkullimit kufitar.

“Edhe përkundër angazhimit të personelit të mjaftueshëm dhe punës me disa korsi në dalje të RKS-së, pritjet janë me kohëzgjatje të madhe deri apo edhe mbi 7 orë, për shkak të procedurave, kapaciteteve të vogla dhe punës së ngadalësuar të pales serbe” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia inkurajon të gjithë personat që shfrytëzojnë pikë kalimet kufitare, në këtë periudhë për dalje nga Kosova të përdorin edhe alternativa (pika tjera kufitare), ku fluksi është më i vogël, në mënyrë që t’ju shmangen pritjeve dhe kolonave eventuale.