VIDEO: Rrugët e Prishtinës plot gropa

Gropat në rrugë janë bërë një problem serioz për banorët e kryeqytetit.

Pothuajse nuk ka rrugë në Prishtinë që nuk është me gropa.

E Komuna e Prishtinës ende nuk ka filluar mbushjen e këtyre gropave.

Për këtë vit, sipas buxhetit të miratuar, Komuna e Prishtinës planifikon të shpenzojë rreth 16 milionë euro në infrastrukturë.

Këtu përfshihen projekte si rikonstruimi i rrugës “Agim Ramadani”, ndërtimi i infrastrukturës rrugore në lagjet “Pejton”, “Tasligje”, “Qëndresa” dhe  “Prishtina e Re”.

Kurse, konkretisht, për “mbushjen” e gropave dhe deformimet e shtresave të asfaltit në rrugë dhe trotuaret e qytetit, Komuna ka ndarë vetëm 536 mijë euro për vitin 2019.

Sipas Institutit Gap, që monitoron premtimet e kryetarëve të komunave që i kanë bërë gjatë fushatës elektorale, Shpend Ahmeti ka kryer deri në fund vetëm një premtim sa i përket projekteve të infrastrukturës, atë në rrugën “Richard Holbrooke”, ku ka filluar ndërtimi i kanalizimit fekal dhe atmosferik, i rrjetit të ujësjellësit, si dhe i kanalit kabllor elektrik dhe atij të telefonisë.

Sipas këtij Instituti, pas këtyre punimeve, me të njëjtën kontratë Komuna planifikon edhe asfaltimin e kësaj rruge, sinjalizimin horizontal dhe vertikal dhe ndriçimin, ndërkohë në nëntor të vitit 2018, kanë nisur procedurat për ndërtimin e disa rrugëve të fshatrave Hajvali dhe Mramor. Ndërsa nga 81 premtimet e kryetarit të PSD-së, deri më 31 dhjetor 2018, 10 kanë përfunduar në tërësi, 30 kanë filluar, kurse 39 nuk janë nisur fare.