VIDEO: Prangoset shoferi i autobusit, voziste në gjendje të dehur

Policia Rrugore e Tiranës vijon kontrollet për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, duke ushtruar kontrolle me Drager në automjetet e transportit publik dhe ato private.

Gjatë orëve të fundit, 4 drejtues mjetesh janë prangosur.

Dy prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe dy për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Njëri prej të arrestuarve drejtonte autobusin në gjendje të dehur.

Sipas Policisë së Shtetit, duke marrë shkas nga shqetësimet e adresuara nga qytetarët që përdorin transportin publik si dhe përfshirjen në disa ngjarje rrugore të mjeteve të transportit urban, janë shtuar kontrollet ndaj kësaj kategorie mjetesh dhe nga verifikimet në terren rezultoi se drejtuesi i autobusit me iniciale Ll. N., 53 vjeç, rezultoi se drejtonte autobusin nën efektin e alkoolit në masën 0.65 mg/l.

Gjithashtu nga kontrollet policore u arrestuan në kushtet e flagrancës edhe tre drejtues mjetesh nga të cilët dy të papajisur me leje drejtimi dhe një në gjendje të dehur.

Policia njofton se kontrollet do vijojnë pa ndërprerje në të gjitha rrugët e Tiranës dhe në rrugën interurbane duke përdorur edhe Radarin.

Policia rrugore e Tiranës apelon për zbatim të rregullave të qarkullimit rrugor për të udhëtuar të sigurt.