VIDEO – Përplasje në Kuvendin Komunal të Ferizajt për lokacionin e varrezave

KALLXO.com sjell një video ekskluzive nga Kuvendi Komunal i Ferizajt, ku disa banorë të Fshatit të Vjetër të Ferizajt janë përplasur me asamblistin e AAK-së, Xhavit Zariqi, i cili njëherit është edhe Zëvendës Ministër në qeverinë Haradinaj.

Banorët e Fshatit të Vjetër në Ferizaj janë përplasur sot me disa anëtarë të Kuvendit Komunal të Ferizajt, duke kundërshtuar propozimin për destinimin e një prone komunale në këtë fshat si tokë për varreza.

Kuvendi Komunal i Ferizajt ishte duke diskutuar pikën e rendit të ditës, në lidhje me peticionin e banorëve të Fshatit të Vjetër në lidhje me propozimin që varrezat të vendosen në atë fshat. Sipas këtij peticioni, banorët janë kundër destinimit të varrezave në këtë fshat.

Tensioni në sallën e Kuvendit është rritur kur Xhavit Zariqi, anëtar i Kuvendit Komunal dhe Zëvendës Ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka deklaruar se “kjo është pronë e komunës dhe ne bëjmë çka të dojmë me të”.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendës-ministrin Zariqi, i cili ka mohuar se është sulmuar nga ndonjë qytetar.

“Jo, asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhë, nuk jam sulmu. Ata (banorët) po e kundërshtojmë propozimin për varreza, por është Kuvendi që vendosë për këtë punë”, tha Xhavit Zariqi për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka thënë të mos jetë në dijeni për incidentin e sotëm.

Zyrtari për informim në komunë, Albion Sherifi, tha për KALLXO.com se nuk ka pasur përplasje fizike, por vetëm verbale mes banorëve dhe asambleistëve.