Grafika: Trembelat për KALLXO.com

VIDEO: Liderët duhet të jenë shembull për pronën në emër të përbashkët

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan hulumtimet e BIRN-it për regjistrimin e pronave të përbashkëta në,  emër të dy bashkëshortëve, hulumtim i nisur një vit më parë dhe i cili përfshiu zyrtarë shtetërorë e lokalë.

Mexhide Topalli, Grupi Joformal i Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se krerët shtetërorë e ata institucionalë duhet të japin shembuj për qytetarët sa i përket regjistrimit të pronave në emër të përbashkët.

“Këtë temë po e trajtojmë nëpër tryeza, është shqetësim shumë i madh duke i parë problemet që po ndodhin kur po është çështja e trashëgimisë. Duke parë problemet kemi marrë iniciativa për tryeza ku diskutohet se nuk po gjen zbatim ligji i pronës. Është një shenjë e mirë që qeveria e ka nxjerr një Udhëzim Administrativ, që po e quajmë mekanizëm shumë të nevojshëm pasi që nga ai mekanizëm janë regjistruar një numër i madh i përbashkët mes bashkëshortëve. Prin Komuna e Ferizajt. Janë edhe disa qytete të tjera”, tha Topalli.

Ajo shtoi se pse është e rëndësishme regjistrimi i pasurisë në emër të përbashkët.

“Është e rëndësishme për faktin se uroj që në vendin tonë mos të kemi procese të divorcit, por gjithherë po ka probleme gjatë kohës kur po ka divorce dhe pasuria po mbetet te buri e gruaja po mbetet pa pasuri”, tha ajo.

“Shtëpinë jo por banesën që e kemi tash sigurisht është në emrin  tim”, tha Topalli.

Drejtësia në Kosovë në shumë emisione dhe hulumtime ka dëshmuar se gratë kanë ende probleme që të jenë bashkëpronare në prona.

Pronë e përbashkët e bashkëshortëve – nënkupton pasurinë e krijuar gjatë jetës në martesë e cila regjistrohet si pronë e përbashkët, administrohet bashkërisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.

Në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.