Foto: KALLXO.com

Miratohet udhëzimi për masat e veçanta të regjistrimit të pronës në emër të përbashkët

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur në mënyrë elektronike gjatë ditës së sotme, në mënyrë elektronike janë marrë vendime e njëra nga to është edhe për uzhëzimin për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, gjatë mbledhjës është miratuar udhëzimi Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të Përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

“Me ndryshimet dhe plotësimet që ofrohen në këtë Udhëzim Administrativ rregullohet mënyra dhe ofrohen mundësi stimuluese për regjistrimin e pronës edhe në emër të gruas si bashkëpronare dhe të sigurojë pjesëmarrjen e barabartë të gruas në të drejtën e pronës si e drejtë themelore e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Nga viti 2016 Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzim administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve me qëllim të inkurajimit të çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

Përfitimet që dalin nga ky Udhëzimi Administrativ nr.03/2016 për regjistrimin e pronës në emër të përbashkët të dy bashkëshortëve, është lirimi nga tarifa për shërbimin e regjistrimit, lirimi nga tatimi mbi pronën për periudhën 1 vjeçare si dhe lirimi nga tarifa për shpenzimet e noterit.

Në bazë të këtij Udhëzimi, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.

Në përkrahje të kësaj iniciative BIRN ka kontaktuar afro 2 mijë zyrtarë të lartë të vendit për të parë nëse janë duke e respektuar Udhëzimin Administrativ të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Por, gjetjet e hulumtimit të BIRN-it kanë pasqyruar se as 5% e këtyre zyrtarëve të lartë nuk janë duke e respektuar këtë Udhëzimin Administrativ për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve.Hulumtimi ynë ka treguar se vetëm 35 nga 1,304 zyrtarë të lartë të Kosovës posedojnë pronë të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorte

Katër vite më parë, Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale, i kishin propozuar Qeverisë së Republikës së Kosovës miratimin e një udhëzimi administrativ për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.

Qeveria duke e parë si faktor të rëndësishëm inkurajimin e çifteve të reja që nga fillimi i krijimit të pronës ta gëzojnë të drejtën e regjistrimit të asaj prone në emër të dy bashkëshortëve, e drejtë që është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi, e ka miratuar këtë iniciativë dhe vit pas viti e ka ndryshuar këtë udhëzim për të zgjatur përiudhën e zbatimit pasi që është konsideruar se ka pasur ndikim pozitiv sa i përket rritjes së numrit të pronave të regjistruara në emër të përbashkët të të dy bashkëshorteve.

42 Kandidatë nuk e Kanë Regjistruar Pronën Bashkë me Gratë

A kanë ministrat e ri prona në emër të përbashkët me bashkëshortët e tyre?