Gruaja e Pal Lekajt nuk ka pronë në emër të saj

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan hulumtimet e BIRN-it për regjistrimin e pronave të përbashkëta në,  emër të dy bashkëshortëve, hulumtim i nisur një vit më parë dhe i cili përfshiu zyrtarë shtetërorë e lokalë.

Ministrat e Qeverisë Haradinaj nuk kanë preferuar që t’i përgjigjen kërkesave të BIRN-it për të treguar nëse kanë ose jo prona të regjistruara në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre.

Duke filluar nga Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili një shtëpi e ka të regjistruar në emër të përbashkët me bashkëshorten e saj ndërsa një tjetër në Dragodan e ka të regjistruar vetëm në emër të tij.

Trashëgiminë familjare ende sipas Haradinajt nuk e kanë ndarë ndërsa ka thënë se pjesë e ndarjes do të jenë edhe motrat e tij.

Ministri i Drejtësisë, ai i Shëndetësisë dhe Zëvendëskryeministri Hoxhaj kanë deklaruar se kanë prona të përbashkëta me bashkëshortet e tyre ndërsa ministri i Infrastrukturës ka thënë se nuk e ka.

“Po realisht bashkëjetojmë dhe e kemi familjen, jetojmë në një banesë që e kemi blerë së fundi dhe e kemi regjistruar në emër të përbashkët”, tha ministri Uran Ismaili.

“Banesa ime është pronë edhe e shoqes edhe e imja”, tha Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

“Më vjen keq por jo ende sepse jemi në bashkësi familjare dhe para një viti kemi filluar procedurat me i nda dhe shpresoj se do të ndodh kjo”, tha Ministri Lekaj.

“Sapo e kemi blerë një pronë dhe jemi në procedurë”, tha ministri Tahiri.

Blerta Iberdemaj nga Zyra Ligjore e BIRN, ka thënë se nga ministrat kanë marrë përgjigje vetëm nga dy prej tyre.

“Si duket ministrat në vend të përgjigjes kanë zgjedhur heshtjen zyrtare, psi që nga gjithë ministrat që i kemi kontaktuar vetëm nga dy prej tyre kanë deklaruar se nuk kanë prona të regjistruara në emër të përbashkët me bashkëshortet e tyre”, tha Iberdemaj.

Drejtësia në Kosovë në shumë emisione dhe hulumtime ka dëshmuar se gratë kanë ende probleme që të jenë bashkëpronare në prona.

Pronë e përbashkët e bashkëshortëve – nënkupton pasurinë e krijuar gjatë jetës në martesë e cila regjistrohet si pronë e përbashkët, administrohet bashkërisht dhe nuk mund të tjetërsohet pa pëlqimin e bashkëshortëve.

Në bazë të këtij Udhëzimi Administrativ, autoritetet publike janë të obliguara që të zbatojnë masa të veçanta të përkohshme me qëllim të rritjes së numrit të grave të regjistruara si pronare të përbashkëta si dhe me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike midis burrave dhe grave në të drejtën pronësore.