VIDEO: Banorët e Llugaxhisë të ndarë rreth ndërtimit të xhamisë së re

Në fshatin Llugaxhi të Lipjanit, banorët kanë mospajtime rreth ndërtimit të xhamisë së re në qendër të fshatit, afër shkollës.

Ata thonë se xhamia mund ta pengojë procesin mësimor.

Selatin Retkoceri, i cili është edhe asamblist në Kuvendin Komunal të Lipjanit, thotë se xhamisë së re duhet ti’i gjendet një lokacion tjetër dhe jo afër shkollës.

“Ne nuk jemi kundër ndërtimit të xhamisë. Por jemi kundër lokacionit të përcaktuar dhe të kërkuar nga komuniteti i Llugaxhisë. Meqë lokacioni që kërkon Bashkësia Islame dhe një pjesë e qytetarëve janë shumë afër shkollës dhe ne mendojmë se xhamia me shkollën afër nuk shkojnë, prandaj edhe jemi kundër”, tha Retkoceri.

Fshati ka një xhami, e ndërtuar para 100 vitesh dhe kishte shërbyer edhe si shkollë.

Besimtarët që falen këtu thonë se xhamia është e vjetër dhe një xhami e re është e nevojshme.

Imami i fshatit Vehbi Gajtani thotë se parcela e ndarë për ndërtimin e xhamisë nuk është shumë afër shkollës dhe nuk e pengon askënd.

“Pengesë ligjore nuk paraqet. Kemi hulumtuar ligjet. Lokacioni është bajagi larg prej shkollës, diku rreth 70 metra. Disa janë kundër por shumica e katundit janë dakord që të ndërtohet atje”, thotë ai.

Kërkesa e banorëve të Llugaxhisë për xhami të re është e kamotshme.

“Katundi është i interesuar, pjesa dërmuese, me thënë 80 për qind, janë të interesuar me ndërtu xhaminë e re. Hapësirë kemi sa të duash”, thotë Sami Retkoceri, banor.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarët e Komunës së Lipjanit kanë thënë se xhamia e re nuk do të ndërtohet derisa banorët të pajtohen për lokacionin. (REL)