Arkiv - Milan Radoiçiq (në mes, pa kravatë), pasi u emërua nënkryetar i Listës Serbe, Foto: Kossev/Balkan Insight

Veselinoviq dhe Radoiçiq bëhen ortakë biznesi në Serbi

Milan Radoiçiq, figura udhëheqëse në Kosovën e veriut, i afërt me Partinë Progresiste e cila mban pushtetin në Serbi, ka zgjeruar veprimtarinë e tij të biznesit në Serbi duke u bërë bashkëpronar i një ndërmarrjeje ndërtimi me një serb tjetër të Kosovës, Zvonko Veselinoviq.

Radoiçiq u bë bashkëpronar i kompanisë ndërtimore ‘Inkop’, e cila më parë është raportuar të jetë e lidhur me Veselinoviqin, më 19 shtator, tregon një hulumtimi i BIRN.

Pronarja e mëparshme, motra e Veslinoviqit, Dushica Maksimoviq, e cila besohej se vepronte si një mbulesë për vëllanë e saj, nënshkroi nga 40 për qind të kompanisë për Radoiçiq dhe Veselinoviq, duke i dorëzuar edhe 20 për qindëshin e mbetur vëllait të vogël të Zvonkos, Zharko Veselinoviq.

Përmes ‘Inkop’, Radoiçiq është gjithashtu i lidhur me subjektet e tjera të biznesit serb. ‘Inkop’ zotëron rreth 25 për qind të kompanisë ‘Granit Pescar’ dhe 100 për qind të ‘Dolly Bell’, i cili hapi një hotel luksoz në malin Kopaonik në Serbi në vitin 2015.

Në shtator, ai u emërua përfaqësues i Klubit të Futbollit Trepça, me seli në veri të Mitrovicës, në Kosovë.

Politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili u vra përpara selisë së partisë së tij në Mitrovicë më 16 janar, e quajti Radoiçiqin si një figurë kyçe në një sistem frikësues të pushtetit në Kosovën e veriut.

Në qershor, Radoiçiq u emërua nënkryetar i Listës Srpska, partia kryesore serbe e Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi.

Radoiçiqi nuk pranoi të fliste me BIRN për bashkëpronësie e ‘Inkop’, duke thënë se ai nuk është i obliguar për të shpjeguar veten, pasi ai nuk mban asnjë pozitë në institucionet serbe.

“Me të vërtetë mendoni se kam kohë, me gjithë respektin e duhur, t’ju shpjegoj se si e kam marrë [pjesën e tij në kompani]?”, tha Radoiçiq.

Ai tha se zyrtarisht hyri në politikë duke u bërë nënkryetar i Listës Srpska, por partia “nuk është e regjistruar në Serbi”.

Zvonko Veselinoviq thuhet gjithashtu se është i afërt me Partinë Progresiste Serbe.

Një konsorcium i lidhur me ‘Inkop’ arriti një marrëveshje me vlerë 75 milionë dollarë nga një kompani shtetërore serbe në vitin 2015 për të ndërtuar një pjesë të autostradës ‘Korridori 11’ që lidh Beogradin me Malin e Zi.

‘Inkop’ kishte një fitim bruto prej rreth 7.7 milionë euro në vitin 2017 dhe më shumë se 9.5 milionë euro në vitin 2016, sipas raporteve financiare nga Regjistri i Biznesit Serb.

Radoiçiq, Veselinoviq dhe dy të pandehur të tjerë aktualisht janë në rigjykim para një Gjykate serbe për abuzime të supozuara gjatë ndërtimit të ‘Korridorit 10’, një autostradë tjetër që kalon nëpër Serbi dhe shtrihet nga Austria në Greqi, përmes së cilës ata kanë fituar 26.5 milionë dinarë.

Radoiçiq dhe Veselinoviq u gjykuan gjithashtu për blerjen e paligjshme të 32 kamionëve në pronësi të ‘Hypo Aple Adria Leasing’, por u liruan në vitin 2016.

Radoiçiq u dënua për falsifikimin e një letërnjoftimi personal në vitin 2010 dhe Veselinoviq u arrestua në vitin 2003 në Novi Pazar për posedim të më shumë se 3 kilogram heroinë, sipas gjetjeve të BIRN.