Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com

Veseli: Ka manipulues por mos të abuzohet me veteranët e vërtetë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se do ta përkrah themelimin e një komisioni hetimor lidhur me listat e veteranëve për t’i ndihmuar prokurorisë dhe gjykatave që të bëjnë punën e tyre, pas ka shumë manipulues.

Deklarata e Veseli erdhi pas shqetësimit të deputetit Glauk Konjufca, i cili në seancën e sotme, tha se raporti i progresit thotë se pse dolën 60 mijë veteran, me siguri një e treta e tyre të rrejshëm.

“Raporti i progresit po thotë që janë fryer listat dhe keni me pas probleme financiare, pse mos të krijohet në Kuvend dhe me zbuluar Kuvendi me komisionin e vet hetimor, kush ke ai që e bëri këtë manipulim”, ka thënë ai.

Kurse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka deklaruar se hetimi për listën e veteranëve të nis nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Nuk është mirë me luftëtarë me qenë objekt i diskutimit në këtë sallë, por se është mirë të krijohet një komision hetues parlamentar, ne e bëjmë vetëm prej të gjitha partive, është mirë me bërë dhe të kërkohet nga institucionet e Republikës së Kosovës që të shkohet deri në fund që mos abuzohet me luftëtarët që janë të vërtetë se po goditën luftëtarët, ata manipuluesit pastaj po mbesin anash, sa janë Zoti e dinë por janë shumë. Edhe diçka po dua të them me fillu me Shtabin e Përgjithshëm, me shikuar a i kemi shti krejt familjet tona, e me fillu te ata që nuk kanë qenë kurrë në luftë dhe e kanë sha UÇK-në dhe janë bërë veteranë, e ata që e kanë sha UÇK-në dhe e kanë quajt të mallkuar, e bëjmë një komision, unë ia jap nënshkrimin i pari vetëm të mos abuzohet me luftëtarë, jo këtu nuk bëhet, bëhet i veçantë, i ndihmohet organeve të jurispodencës, prokurorisë, gjyqësisë, madje të dalin në media publike të gjithë ata emrat, kush i ka anëtarësuar gjithë ata luftëtarë që nuk i kemi pa në momente kur ka qenë më së randi“, ka thënë Veseli.

Prokuroria sot ka ngritur edhe një aktakuzë për deklarim të rrejshëm, lidhur me çështjen e statusit të veteranit.