Foto: KALLXO.com

Veseli: Demarkacioni Duhet të Ratifikohet Deri të Mërkurën

Ani pse seanca e jashtëzakonshme për Demarkacionin u shty për nesër, kreu i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë që ratifikimi i kësaj Marrëveshjeje duhet të përfundojë deri të mërkurën.

“Duam që deri të mërkurën çështja e ratifikimit të përfundojë”, tha ai.

Madje ai ka kërkuar për të dytën herë përkrahjen e mediave për këtë çështje.

“Kërkoj përkrahjen nga ju media, nga të gjithë qytetarët dhe çdo faktor që të arrijmë konsensusin”, theksoi Veseli.

Kur u pyet për votat e Listës Serbe, ai tha se duhet njëherë t’i kryejnë detyrat pozita dhe opozita.

“E vërteta është kjo, qytetarët e Kosovës duhet dhe do të lëvizin lirshëm në BE brenda këtij viti”, shtoi ai.

Ai tha se takimi me përfaqësuesit e partive politike, ku prezentë ishin edhe presidenti Hashim Thaçi dhe ambasadori Greg Delawie, ka qenë i mirë dhe drejt konsensusit.

“Jemi në rrugë shumë të mirë në përpjekje që të arrihet konsensusi i përbashkët, të jemi unik në seancën tonë të jashtëzakonshme për ratifikimit të Demarkacionit”, theksoi kreu i Kuvendit.

Në këtë takim nuk kanë qenë prezentë përfaqësues të Vetëvendosjes dhe Listës Serbe.

Të mërkurën në Kosovë pritet të vijnë përfaqësues të lartë të BE-së.