Vdes Fëmija, Ra nga Ballkoni

Një fëmijë i moshës dyvjeçare, i gjinisë mashkullore, ka vdekur pasi aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i katit të dytë të shtëpisë së tij në fshatin Broboniq të Mitrovicës.

Për rastin tragjik ka njoftuar Policia Rajonale e Mitrovicës.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur sot rreth orës 11:00. Sipas njoftimit të Policisë, prindërit e kishin dërguar fëmijën në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, ku mjeku ka konstatuar se fëmija ishte pa shenja jete.

Nga hetimet para të bëra në vendin e ngjarjes, si dhe mbi deklaratat e siguruara nga dëshmitarët, dyshohet se viktima në kohën e incidentit ishte ngjitur në katin e dytë, gjegjësisht në ballkonin e shtëpisë, prej ku aksidentalisht kishte rënë në tokë dhe kishte mbetur i vdekur.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës u lirohet familjarëve, ndërsa rasti është iniciuar si “vdekje aksidentale”.