Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një qendër votimi në Drenas - Foto: Atdhe Mulla

Valdete Dakës i Skadon Mandati në KQZ në Kohën e Zgjedhjeve

Mandati i saj zyrtar përfundon me 16 qershor, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme planifikohen të caktohen mes datave 11 dhe 18 qershor.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

“ Po, më 16 qershor del mandati”, është përgjigjur shkurt ajo. Po kur është pyetur nga KALLXO.com se çfarë do të bëhet me pozitën e parë të KQZ-së,  Daka nuk ka mundur të japë përgjigje.

“ Nuk e di, nuk e di unë, ajo është nën kompetencat e Presidentit”, tha Daka.

Ajo tha se e Presidenti ka kompetenca t’ia vazhdojë ose jo mandatin e saj si kryetare e KQZ-së.

“ Ka të drejtë të vazhdohet mandati sipas ligjit. Është në diskrecion të Presidentit, nëse konsideron që e meritoj me ma vazhdu mandatin, le të ma vazhdoj. Nëse jo, e zgjedh dikë tjetër”, tha Daka.

Valdete Daka është zgjedhur kryesuese e KQZ-së më 16 qershor 2010 kur ishte dekretuar nga ish Presidenti Fatmir Sejdiu.

Mandati i kryesueses së KQZ-së është shtatëvjeçar.

Sipas ligjit, KQZ si organ i pavarur për menaxhimin e zgjedhjeve duhet të drejtohet nga një anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës.

E para e KQZ-së tha se për përfundimin e mandatit të saj në muajin qershor, është e njoftuar edhe zyra ligjore e Presidentit.

Gjatë ditës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pasur një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, përjashtim subjektin politik LDK,  pas votimit të mosbesimit të Qeverisë në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim u propozuan dy data të mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve- 11 ose 18 qershori.