Milot Hasimja, gazetar i TV Klan Kosova. Foto: Kallxo.com

Urdhër Arrest për Sulmuesin e Gazetarit Milot Hasimja

Në nëntor të vitit 2015 Sovran Syla ishte dënuar me 4 vjet burg për sulmin ndaj gazetarit të televizionit “Klan Kosova”, Milot Hasimja, në vendin e tij të punës, ndërsa më 18 prill 2016 Gjykata e Apelit ia kishte zbritur dënimin në 3 vjet e 6 muaj.

Megjithatë, Syla ende nuk ka shkuar në vuajte të dënimit.

Lidhur me këtë çështje KALLXO.com i dërgoi pyetje Gjykatës Themelore të Prishtinës më datë 24 shkurt të këtij viti ndërsa në po të njëjtën ditë pranoi këtë përgjigje nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Ju njoftojmë se Gjykata ka filluar procedurën e ekzekutimit të dënimit ndaj të dënuarit S.S. Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë me dt. 01.11.2016 për paraqitjen e të njëjtit në burg me dt. 30.11.2016, mirëpo ende nuk kemi njoftim zyrtar nga Burgu i Dubravës nëse i njëjti është lajmëruar apo jo”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Në të njëjtën ditë KALLXO.com i drejtoi pyetje Ministrisë së Drejtësisë. Sipas Zyrës për Komunikim me Publik të kësaj Ministrie, Sovran Syla nuk është paraqitur në vuajtje të dënimit.

Dje, më datë 27 shkurt KALLXO.com i dërgoi pyetje Gjykatës Themelore për të pyetur nëse ka lëshuar ndonjë urdhër arrest ndërsa nga Gjykata sot pranoi këtë përgjigje: “Ju njoftojmë se pasi që i dënuari S.S. nuk është paraqitur në vuajtje të dënimit me dt.30.11.2016 në Qendrën Korrektuese në Dubravë, Gjykata Themelore në Prishtinë me dt. 27.02.2017 ndaj të njëjtit ka lëshuar urdhër arrest“, thuhet në përgjigje.

Në emisionin e fundit “Jeta në Kosovë”, i transmetuar të enjten, gazetari Milot Hasimja tha se sulmuesi i tij ende është i lirë ndonëse vendimi është bërë i formës së prerë.

http://kallxo.com/milot-hasimja-sulmuesi-im-vazhdon-te-jete-lire/

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me avokatin e të akuzuarit Sovran Syla, Mexhid Syla, i cili ka thënë se nuk është në dijeni se çfarë ka ndodhur me ekzekutimin apo jo të dënimit.

Milot Hasimja ishte therur me thikë më 27 tetor 2014 në vendin e tij të punës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga procesi gjyqësor ndaj Sovran Sylës për sulmin ndaj gazetarit Milot Hasimja. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.