Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, më 13 gusht 2019, Foto: Albin Kurti Facebook

Uran Ismaili ironizon me takimin Kurti - Mustafa, ua përmend të kaluarën

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, e ka komentuar takimin e sotëm mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Ismaili përmes një publikimi në Facebook, ka kujtuar mosmarrëveshjet dhe akuzat ndërmjet Kurtit e Mustafës.

“Albin Kurti paska takuar Isa Mustafën. A thua si ndihen votuesit e VV-së të cilët Albin Kurti i tradhton duke iu lutur Isa Mustafës për partneritet?! Mbështetësit e tij janë tronditur nga fakti se ai e paska quajtur Isa Mustafën ‘profesor’ dhe i paska uruar punë të mbarë dhe shëndet. Sa qesharake dhe sa ironike”, ka shkruar ai.

Ismaili ka shtuar se një kohë për Albin Kurtin Isa Mustafa “nuk ishte ‘profesor’, “por shërbëtor i Rrahman Morinës, Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit”.

“Ishte ‘argat i Serbisë që po e bosnjëzon Kosovën dhe Esat Pashë që po i falë territore Malit të Zi’. Dikur e akuzonte me 72 dosje për krim të organizuar, sot e lajkaton me ofertë për koalicion. Ai tani po e sheh si shpresë njeriun që e akuzonte se ‘po e zbrazë Kosovën duke e mbytur perspektivën’”, vazhdon shkrimi i tij.

Sipas nënkryetarit të PDK-së, Kurti ka frikë të shkojë i vetëm në zgjedhje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka bërë të ditur se sot ka takuar kryetarin e sapozgjedhur të LDK-së në mandatin e tretë, Isa Mustafa.

Kurti ka njoftuar se ky është takimi i parë me Mustafën pas rizgjedhjes së tij në krye të LDK-së.

Përmes Facebook-ut, kryetari i VV-së, ka treguar se me Mustafën kanë biseduar për gjendjen e krizës politike në vend.

“Ky ishte takimi i parë me Prof. Isa Mustafën pas rizgjedhjes së tij kryetar i LDK-së. I urova punë të mbarë dhe shëndet. Biseduam për situatën politike në vend dhe gjendjen e rëndë ekonomike, për nevojën e daljes nga kriza dhe të vendosjes së shtetit në binarët e zhvillimit”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit,  me 22 gusht dy grupet e parlamentare LDK-VV do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin e për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike.

Për këtë takim ka folur edhe i pari i LDK-së Isa Mustafa.

Ky është statusi i plotë i Uran Ismailit në Facebook:

Albin Kurti paska takuar Isa Mustafën. A thua si ndihen votuesit e VV-së të cilët Albin Kurti i tradhton duke iu lutur Isa Mustafës për partneritet?! Mbështetësit e tij janë tronditur nga fakti se ai e paska quajtur Isa Mustafën “profesor” dhe i paska uruar punë të mbarë dhe shëndet. Sa qesharake dhe sa ironike.

Një kohë për të Isa Mustafa nuk ishte “profesor”, por shërbëtor i Rrahman Morinës, Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit. Ishte “argat i Serbisë që po e bosnjëzon Kosovën dhe Esat Pashë që po i falë territore Malit të Zi”. Dikur e akuzonte me 72 dosje për krim të organizuar, sot e lajkaton me ofertë për koalicion.

Ai tani po e sheh si shpresë njeriun që e akuzonte se “po e zbrazë Kosovën duke e mbytur perspektivën”. Në ditët e tij të arta të huliganizmit nuk i uronte Isa Mustafës punë të mbarë, por rrëzim të mbrapshtë e të dhunshëm. Nuk i uronte shëndet e jetë të gjatë, por qeverisje të shkurtër dhe fund të mjerë duke ia rrezikuar shëndetin me gaz lotsjellës.

E gjuante dhe e turpëronte me vezë në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe e sulmonte me molotovë në shtëpinë e tij familjare. Albin Kurti e shet veten si të dinjitetshëm e me integritet, por nga frika që të shkojë i vetëm në zgjedhje ai po i përulet “Profesorit” deri në servilosje.

Për të prekur pushtetin ai është në gjendje të shndërrohet edhe në vegël të personit që e luftonte me metodat më të pamoralshme dhe më jodemokratike dhe me të cilin nuk e lidhë asnjë princip apo vlerë përpos frika nga PDK-ja dhe lakmia për privilegje.

Megjithatë këto aleanca tepër joparimore vetëm se do ta rrisin mbështetjen qytetare për PDK-në. Rrugëtimi ynë drejt rikonfirmimit si forca më e madhe demokratike në vend është i pakthyeshëm. Ne mbesim rruga e vetme për luftimin e korrupsionit, nepotizmit dhe ndërtimit të një shteti që ofron ardhmëri të sigurt për të gjithë qytetarët e tij.