Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, më 13 gusht 2019, Foto: Albin Kurti Facebook

Albin Kurti takon Isa Mustafën pas rizgjedhjes në krye të LDK-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka bërë të ditur se sot ka takuar kryetarin e sapozgjedhur të LDK-së në mandatin e tretë, Isa Mustafa.

Kurti ka njoftuar se ky është takimi i parë më Mustafën pas rizgjedhjes së tij në krye të LDK-së.

Përmes Facebook-ut, kryetari i VV-së, ka treguar se me Mustafën kanë biseduar për gjendjen e krizës politike në vend.

“Ky ishte takimi i parë me Prof. Isa Mustafën pas rizgjedhjes së tij kryetar i LDK-së. I urova punë të mbarë dhe shëndet. Biseduam për situatën politike në vend dhe gjendjen e rëndë ekonomike, për nevojën e daljes nga kriza dhe të vendosjes së shtetit në binarët e zhvillimit”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit,  Me 22 gusht dy grupet e parlamentare LDK-VV do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin e për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike.

“Konstatuam që tashmë shpresa po rikthehet te qytetarët, për një të ardhme me drejtësi e përparim”, thuhet në publikimin e Kurtit në Facebook.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që me 22 gusht 2019 të mbahet seanca për shpërndarjen e legjislativit, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj me 19 korrik 2019.