Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

UP gati për ”Universitetin Veror Ndërkombëtar”

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga nesër do të jetë nikoqir i mbi 300 studentëve nga vendi, rajoni dhe bota, të cilët do të marrin pjesë në edicionin e 18-të të Universitetin Veror Ndërkombëtar.

Këtë edicion janë përzgjedhur 15 kurse, ku studentët mund të vijojnë vetëm një kurs, pastaj në fund do të marrin një notë dhe 4 kredi, të cilat pastaj mund t’i transferojnë në universitetet, në të cilat vijojnë mësimet.

Drejtoresha e Universitetit Veror, Lumnije Bajrami ka bërë të ditur se të gjitha përgatitjet janë bërë rreth Universitetit Veror, ndërkohë që profesorët dhe studentët do të vijnë në Kosovë ditëve të vikendit. Kurset që ofrohen në kuadër të Universitetit Veror nuk janë pjesë e programit të rregullt të studimeve, megjithatë studentët për kursin që do të ndjekin do të marrin 4 kredi.

Drejtoresha e këtij Universiteti Veror ka bërë të ditur se numri i studentëve për secilin kurs është i barabartë. Kjo është bërë në mënyrë që të mos ketë në një kurs shumë studentë e në një tjetër më pak. Bajrami në një intervistë për Kp ka bërë të ditura edhe fushat, të cilat janë përzgjedhur për t’u ligjëruar gjatë Universitetit Veror, ndërkohë që ka potencuar se të gjitha njësitë akademike mbulohen.

Të gjithë studentët do t’i vijojnë kurset në gjuhën angleze. Kjo sipas Bajramit për faktin se Universiteti Veror ka karakter ndërkombëtar. Përveç pjesës teorike që studentët duhet të ndjekin, në disa prej kurseve studentët do të kenë më shumë praktikë, siç janë ata që ndjekin kursin e arkeologjisë.

Gjithashtu, studentët do të kenë edhe work shope të ndryshme gjatë dy javëve sa do të mbahet Universiteti Veror. Stafi akademik edhe këtë vit është një kombinim i profesorëve vendor me ata ndërkombëtar, një kombinim i tillë është edhe sa i përket studentëve.

Drejtoresha e UVN-së, Lumnije Bajrami ka bërë të ditur se afati për të aplikuar për profesorët ka qenë në vjeshtën e vitit të kaluar, ndërsa për studentë ka qenë gjatë muajit prill të këtij viti. Ajo bëri të ditur se profesorët kanë pasur mundësinë që të propozojnë një kurs të cilin dëshirojnë ta mbajnë, ku më pastaj komisioni i Universitetit Veror ka vendosur se nëse i plotëson kriteret për t’u mbajtur ai kurs i propozuar.

Studentët që nga ora 9:00 e mëngjesit deri në ora 12:00, do të vijojnë kurset, ndërsa pjesën e mbetur të ditës do të kenë aktivitete tjera, siç janë shëtitjet, vizita në muze, teatër, kinema e të tjera, ndërsa gjatë ditëve të vikendit do të kenë dy ekskursione. Universiteti Veror Ndërkombëtar do të mbahet nga 9 korriku deri me 20 korrik./21Media