Turqi, Prokuroria Kërkon Burg të Përjetshëm Kundër Gazetarëve

Prokuroria turke ka kërkuar burg të përjetshëm kundër dy gazetarëve të gazetës “Cumhuriyet”, një prej gazetave kryesore të opozitës, të akuzuar për zbulim të sekreteve shtetërore, ka njoftuar sot agjencia e lajmeve “Dogan”.

Can Dündar, kryeredaktor i “Cumhuriyet” dhe Erdem Gül, udhëheqësi i zyrës i të përditshmes në Ankara, janë dërguar prapa grilave që nga 26 nëntori për shkak se kanë publikuar një video-incizim ku shihen kamionë të shërbimeve sekrete turke (MIT), për të cilët besohet se po transportonin armë të destinuara për rebelët islamistë sirianë, raporton AFP.

Prokurorët e gjykatës së Stambollit kanë kërkuar kundër secilit prej tyre dënim me burgim të rëndë të përjetshëm, një tjetër burgim të zakonshëm të përjetshëm, dhe tridhjetë vjet burgim, sipas aktakuzës përfundimtare, të cituar nga agjencia “Dogan”.

Sipas agjencisë, presidenti islamiko-konservator Recep Tayyip Erdogan dhe shefi i shërbimeve sekrete, Hakan Fidan, janë paditësit në këtë proces, i cili nuk dihet kur do të nisë dhe kur do të përfundojë.

Presidenti Erdogan publikimin e këtij video-incizimi nga “Cumhuriyet” e kishte cilësuar “akt tradhtie” dhe në një intervistë televizive kishte premtuar se gazeta “do të paguajë një çmim të lartë“.

Sipas aktakuzës, të cituar nga “Dogan”, ata akuzohen se kanë publikuar sekrete shtetërore “për qëllime spiunazhi”, se janë përpjekur ta rrëzojnë qeverinë turke “me dhunë“ dhe se kanë mbështetur një “organizatë të armatosur terroriste”.

Siç raporton AFP, qeveria turke rregullisht kritikohet në kryeqytetet e huaja dhe nga OJQ-të që merren me mbrojtjen e lirisë së shprehjes, të cilët e akuzojnë për presionin gjithnjë e më të madh ndaj mediave.