Flamur pirat

Turisti në Kroaci në Telashe për Valëvitjen e Flamurit Pirat

Policia ngriti një aktakuzë kundër një shtetasi kroat-zviceran 54-vjeçar i cili po pushonte në ishullin e Virit, pasi vendasit raportuan se ai po valëviste një flamur çetnik nacionalist serb, raportoi të hënën gazeta Slobodna Dalmacija.

Ai u raportua më 5 gusht, në përvjetorin e Operacionit Stuhia të ushtrisë kroate, kur forcat rebele serbe u mundën në 1995.

Flamuri i dyshuar si çetnik – i valëvitur nga paraushtarakët serbë kur hynë në qytetin kroat të Vukovarit gjatë luftës në vititn 1991 – u pa si një provokim nga vendasit që e raportuan atë, tha Slobodna Dalmacija.

Por burri, emri i të cilit nuk u zbulua, këmbënguli se ishte veçse një flamur pirat që ai po e valëviste për të kënaqur të birin.

“Nuk është një flamur çetnik, është një flamur nga “Piratët e Karaibeve” [film i Hollivudit],” tha ai për gazetën.

“Djali im erdhi këtu për pushime nga Zvicra dhe është një adhurues i çmendur i Johnny Depp dhe piratëve të Karaibeve nga filmi… ndaj doja ta kënaqja atë,” shtoi ai.

Burri raportohet të ketë thënë se flamuri është valëvitur që nga fillimi i korrikut por u bë një problem për vendasit vetëm në përvjetorin e Operacionit Stuhia.

Ai i tha gazetës se tani ka frikë për jetën e tij dhe të djalit dhe se disa njerëz në ishull e kanë quajtur atë një çetnik.

Policia e hoqi flamurin, kreu një hetim në zonë dhe nisi një aktakuzë ndaj tij për ekspozim të “simboleve të papërshtatshme”.