Tregtia e Kosovës në Korrik

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), thonë se edhe në muajin korrik është shënuar një deficit i lartë tregtar në krahasim me muajin korrik të 2015-ës. Eksportet dhe importet ishin më të ulëta në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për (0.5%) në muajin korrik 2016 në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2015, gjegjësisht në vlerë prej 210,5 milionë euro, krahasuar me deficitin 209,4 milionë euro në vitin 2015. Eksporti mbulon importin (12.6%),” thuhet në këtë publikim.

Eksporti i mallrave në muajin korrik 2016 kishte vlerën 30,3 milionë euro, ndërsa importi 240,9 milionë euro.

Në bazë të këtyre të dhënave, në krahasim me korrikun e vitit t[ kaluar ka një rënie eksporti për 17 për qind, ndërsa është një shënuar edhe rënie e importeve për 2.1 për qind.

Produktet minerale dhe metalet bazë dominuan me përqindje më të lartë në eksportin e mallrave.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: (32.3%) e përbëjnë produktet minerale, (31.6%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (8.9%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (7.1%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (6.0%) produktet bimore, (2.6%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (2.5%) artikuj të ndryshëm të prodhuar, (1.8%) tekstil dhe artikuj tekstili etj,” shpjegon publikimi i ASK-së.

Sipas këtij publikimi, Kosova importoi më shumë ushqime të përgatitura, pije, duhan, por edhe makineri dhe pajisje mekanike e elektrike.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: (14.3%) të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (13.1%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (12.0%) produktet minerale, (9.6%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (7.4%) mjetet e transportit, (7.1%) produkte të industrisë kimike, (6.8%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre etj,“ sqaron publikimi

Tregtia e Jashtme me 28 vendet e BE-së

Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian sipas të dhënave të ASK-së kanë shënuar një rënie mbi 60 për qind, por me rënie të lehtë janë edhe importet nga këto vende.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 5,0 milionë euro, ose rreth (16.7%) të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-65.4%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Bullgaria (3.9%), Gjermania (3.2%), Holanda (3.2%), Italia (1.8%),” thuhet në publikim.

Edhe importet e Kosovës nga BE-ja janë dukshëm më të mëdha.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 107,4 milionë euro, ose (44.6%) e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-0.9%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (12.5%), Italia (8.1%), Greqia (4.2%) etj,” tregon publikimi.

Tregtia me vendet e CEFTA-s

Për dallim nga shkëmbimi tregtar me vendet e Bashkimit Evropian, ku eksportet dhe importet kanë shënuar rënie. Shkëmbimi i mallrave me vendet e CEFTA-s u ngrit në muajin korrik. Partneri kryesor i Kosovës në raport me vendet e CEFTA-s vazhdon të jetë Serbia.

“Në muajin korrik 2016 eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 15,7 milionë euro, ose (51.8%) të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (8.5%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Serbia (23.1%), Shqipëria (11.4%), Maqedonia (11.1%), dhe Mali i zi (4.0%),” thuhet në publikimin e Agjencisë së Statistikave.

Edhe importi kosovar nga këto vende është më i lartë.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin korrik 2016 arritën në 61,6 milionë euro, ose (25.6%) të importeve të përgjithshme, ku kishte rënie prej (-9.1%).Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (13.0%), Maqedonia (5.3%), Shqipëria (4.1%) dhe B&H (2.7%),” tregohet në publikim.

Kosova eksporton edhe importon edhe me vendet tjera të botës. Eksportet me vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s arritën 9.5 milionë euro ose 31.5 për qind me partnerë kryesorë, Zvicra me 5.6 për qind, India 2.4 për qind, dhe Turqia me 1.9 për qind.

Importet ishin 71.9 milionë euro, ose 29.8 për qind. Vendet të cilat kishin pjesëmarrje më të lartë janë Kina me 11.9 për qind dhe Turqia me 9.3 për qind.