Avokati Tomë Gashi | Foto: KALLXO.com

Tomë Gashi: Gjithçka Gabim në Rastin e Azem Sylës

Ai në lidhje me rastin ku të dyshuar janë mbi 50 persona në mesin e të cilëve edhe deputeti Azem Syla, ndërsa janë caktuar 20 seanca hetuese në qershor e korrik, thotë për KALLXO.com se pretendimet për ndikim ndaj dëshmitarëve mund të jenë një strategji nëse humbet ky rast nga prokuroria.

“Ndoshta është strategji që nëse prokurori e humb këtë rast të thirret se eventualisht dëshmitarët kanë qenë të kërcënuar frikësuar apo shantazhuar apo të korruptuar, por duket se gjithçka në këtë rast ka filluar gabimisht,” tha Gashi.

Gashi më tej tha se nuk e kupton se pse dëshmitarët janë të mbrojtur, pasi që vetë prokurori e ka bërë publik identitetin e tyre.

“Fillimisht vetë prokurori i bën publik emrat e dëshmitarëve të mbrojtur, pastaj gjykata po ashtu i bën publike emrat e dëshmitarëve të mbrojtur duke i përmendur në aktvendim për caktim të paraburgimit. Ngase kërkesa e prokurorit dhe aktvendimi nuk janë dokumente sekrete por publike që mund t’i kenë edhe të tjerët, pos avokatëve dhe klientëve dhe duket se strategjia veçse ka filluar,” tha Gashi.

52 persona, mes tyre edhe Azem Syla, deputet i PDK-së dhe Nuhi Uka, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë dyshohen për tjetërsim të ish-pronave shoqërore.

Sylës dhe Ukës para disa ditësh u është vazhduar paraburgimi edhe për nga tre muaj nga gjyqtarja e procedurës paraprake në Prishtinë.

Azem Syla, Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Hajrullah Berisha, Ilaz Syla dhe Lubisha Vujoviq ishin arrestuar në fund të prillit të këtij viti pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Prokuroria pretendon se këta persona kanë tjetërsuar prona shtetërore në mënyrë joligjore në regjionin e Llapnasellës, për çka të gjithë të dyshuarit janë deklaruar të pafajshëm.