Fotografi nga takimi i sotëm për gjendjen e banorëve në ndërtesën sociale në Plemetin. Foto: Kallxo.com

Thirrje për Ndërtimin e Kulmit të Banesës Sociale në Plemetin

Në një takim të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe komuna e Obiliqit me partnerë vendorë e ndërkombëtarë u bë thirrje për mbledhjen e fondeve për rregullimin e kulmit të ndërtesës për banim social nr.1 në fshatin Plemetin të komunës së Obiliqit.

Rreth 180 banorë romë dhe ashkali, ish-persona të zhvendosur, që jetojnë në këtë objekt me 35 banesa përballen me një emergjencë humanitare për shkak të ujërave atmosferikë që vërshojnë shkallët e objektit dhe hyjnë në mure e tavane të banesave si pasojë e kulmit të dëmtuar, incidenteve të mëhershme të zjarrit, si dhe një sistemi joadekuat të kanalizimit atmosferik dhe të ujërave të zeza.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu në këtë diskutim tha se 180 persona, ndër ta fëmijë e të moshuar jetojnë në kushte minimale dhe të papranueshme.

Ai tha se OSBE në Kosovë ka qenë vazhdimisht e përfshirë për përmirësimin e kushteve në Plemetin.

“Po i bëjmë thirrje ambasadorëve që të mbledhin fonde për të përmirësuar kushtet, një herë atyre ju duhet kulmi” potencoi Braathu.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë tha se ndërtimi i kulmit është një zgjidhje urgjente pasi këta kanë nevojë për një zgjidhje afatgjatë.

Fshati Plemetin gjendet 1 kilometër larg nga Termocentrali Kosova B dhe banorët e tij ekspozohen ndaj rreziqeve shëndetësore dhe gjendjeve shëndetësore që ndërlidhen me helmimin nga thëngjilli. Sipas qendrës komunale për mirëqenie sociale, afër 80 përqind e banorëve marrin ndihmë sociale.

Më 31 dhjetor të vitit 2010 ndërtesa për banim social nr.1 mori flakë dhe gjashtë banesa në katin më të lartë si dhe çatia e objektit u dogjën dhe u dëmtuan. Asnjë veprim për meremetimin e saj nuk u ndërmorr deri në verën e vitit 2011 kur u arrit marrëveshje për të krijuar një komision teknik për të kryer vlerësimin e plotë të ndërtesës për banim social nr.1. Në shtator të vitit 2011 Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale transferoi 180 mijë euro për meremetimin e tërë objektit.

Një incident zjarri e ka përfshirë ndërtesën për banim social nr.1 edhe në gusht të vitit 2015. Me këtë rast u dëmtua kulmi i kësaj banese. Policia e Kosovës e ndaloi një banor, i cili e konfirmoi se ishte zjarrvënësi dhe se e kishte bërë me shpresë të fitimit të një banese individuale. Komuna e Obiliqit e vlerësoi dëmin me 27 mijë euro. Por deri më sot nuk është kryer asnjë punë për riparimin e kulmit të djegur kështu që banorët jetojnë me mbulim të pjesshëm nga ku në banesë depërtojnë bora, shiu, erërat e forta dhe lagështia.

Burim Gërguri, Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Obiliqit bëri thirrje për ndihmë në mënyrë që stina e dimrit mos t’i zë këta banorë pa kulm mbi kokë.

“Në këtë fazë, emergjente të është ndërtimi i kulmit”, tha Gërguri.

Bajrush Berisha anëtar i Këshillit të Banesave tha se ndërtimi i këtyre banesave sociale në fshatin Plemetin është bërë pa dëshirën e banorëve. Ai foli edhe për cilësinë e dobët të ndërtimit të kësaj banese.

“Oxhaqet që i ka banesa nuk kanë qenë funksionale që nga viti 2006, e është dashtë me i shpu oxhaqet e reja”, tha Berisha.

Ai ndër të tjera shpjegoi edhe mungesën e ujit në këtë banesë sociale ku sipas tij shtypja e ujit nuk arrin më lart se kati i tretë.

Sipas tij, në këto banesa sociale ka familje me 14 anëtarë të cilët jetojnë brenda 45 metrave katrorë.