Thaçi viziton Ferizajn për fushatën e korrje-shirjeve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka vizituar qytetin e Ferizajt ku ka përuruar fushatën e korrje-shirjeve.

Ai ka parë nga afër fillimin e kësaj sezone pas të reshurave të mëdha në këtë komunë.

Presidenti përuroi fermerët dhe tha se do t’i mbështesë  ata pas dëmeve që u janë shkaktuar nga të reshurat dhe do t’u kompensojë ato dëme.

“Jam këtu për të uruar fermerin Xhevatin dhe për të uruar të gjithë fermerët.Kam besim se do të jetë sezonë e mbarë pavarësisht reshjeve të shiut dhe dëmeve që janë shkaktuar, të cilat do të kompenzohen Prandaj si president i vendit e kam parë nevojën që të jem pranë fermerëve për të plotësuar nevojat e tyre” tha Thaçi.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se fermerët e komunës së Ferizajt do të mbështeten gjithmonë e sidomos pas të reshurave të fundit të cilat i kanë dëmtuar fermerët në këtë komunë.

“Ferizaji ka fermerë të vyjshëm sikur ka e gjithë Republika e Kosovës, e këta fermerë pas vizitave të tilla dhe konsistencës së qeverisjes lokale tregon më së miri se ne jemi të përkushtuar të mbështesim fermerët, të mbështesim bujqësinë edhe pavarësisht faktit se ndonjëherë gjendemi në kushte të pafavorshme siç kanë qenë reshjet e fundit, e që fatkeqësisht Komuna e Ferizajit ka pësuar më së shumti nga kjo. Ne zotohemi se do të jemi gjithmonë afër fermerëve që t’i mbështesim” tha Aliu.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Mevludin Krasniqi tha se nga nesër do të fillojnë pagesat direkte te 20 mijë fermerët permes subvencioneve të ministrisë.

“Jam këtu për të ndarë me ju se sivjet në Republikën e Kosovës janë të mbjellura diku rreth 83 mijë hectare drithëra, kurse vetëm grurë diku rreth 73 mijë. Ministria e Bujqësisë subvencionon drithërat me afër 10 milionë euro kurse vetëm grurin me 6.7 milionë euro përmes pagesave direkte të subvencioneve dhe nga nesër fillon lista e pagesave direkte dhe brenda muajit korrik do të përkrahen 20 mijë fermerët e pare me nga 150 euro për hektar” tha Krasniqi.