Ilustrim: Foto: Komuna e Gjilanit

Cilësi e dobët e grurit në Kosovë për shkak të reshjeve të shiut

Cilësia e grurit të korrur këtë vit në Kosovë është dobësuar për shkak të reshjeve të shiut që po vazhdojnë tash e disa javë, ndërsa vlera e dëmit të bimëve të mbjella në shkallë vendi nga fatkeqësitë natyrore vlerësohet se kalon shumën mbi shtatë milion euro.

Muhamet Farizi nga  Shoqata e Mullisëve të Kosovës, ka deklaruar për KALLXO.com se procesi i korrje shirjeve ka filluar me vështirësi të mëdha si rrjedhojë e kushteve klimatike.

“Procesi i korrje shirjeve ka ecë por në mënyrë shumë të ngadalshme dhe pjesë-pjesë. Por, konsideroj se sipas të dhënave që i kemi marrë deri më tani edhe prej burimeve komunale, komisioneve përkatëse dhe burimeve të tjera që janë nëpër mullinjtë e Kosovës, cilësia e grurit është e dobësuar, pasi lagështia e ka bërë të veten. Ka pas disa raste kur nuk ka qenë gruri i duhur për t’u përzier me grurin tjetër për shkak të dëmtimeve që kanë mundur të bëhen”, tha ai.

Ndërkaq, Adem Arifaj shef i Divizionit për Mbrojtjen e Bimëve në Ministrinë e Bujqësisë, për KALLXO.com, ka sqaruar se dobësimi i cilësisë së grurit nuk paraqet rrezik për konsum.

“Normalisht reshjet e shiut kanë ndikuar në ulje të kualitetit të grurit. Barometër është pesha hektolitrike që në kushte normale duhet të jetë mbi 75. Gruri për peshë hektolitrike nën 75 nuk duhet përdorur për bluarje. Nuk ka ndonjë rrezik në konsum, por raporti miell-krunde ndryshon domethënë në favor të krundeve”, tha zyrtari nga MBPZHR.

Sipas Arifajt, përmirësimi i kualitetit para bluarjes bëhet me përzierje të grurit me peshë të lartë hektolitrike me atë më të dobët.

“Vlera e dëmit në shkallë vendi nga fatkeqësitë natyrore kalon shumën mbi shtatë milion euro deri më sot sepse për çdo dite kemi kërkesa për kompensim dhe kjo vlerë ndryshon”, shtoi Arifaj.

Pasi që fushata e korrje shirjeve ende nuk ka përfunduar, edhe 40 për qind sipërfaqe me grurë priten të korren ditëve në vijim, varësisht nga moti që do të mbretërojë në vend.

Këtë e bëri të ditur për KALLXO.com, Jusuf Cikaqi, kryetar i Komisionit për monitorimin e fushatës së korrje shirjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

“Sipas informacioneve që i kemi, deri më tash janë korrur rreth 60 për qind sipërfaqe me grurë , ndërsa priten të korren edhe 40 për qind”, tha Cikaqi.

Ndërsa, sa i përket përmbushjes së nevojave të popullatës së Kosovës për ushqim, ai theksoi se ende nuk dihet sasia totale e prodhimit me grurë, pasi që ende nuk ka përfunduar fushata e korrje shirjeve.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit rural, ka njoftuar se bazuar në statistikat e grumbulluara nga terreni, konstatohet se gjendja e sipërfaqeve të mbjella me drithëra të bardha e në veçanti me grurë është e kënaqshme dhe nga 74,313 ha sipërfaqe, pritet rendiment mesatar rreth 4000 kg/ha.

Në gjithë territorin e vendit me drithëra të bardha këtë vit janë mbjellë dhe pritet të korren 83,155 ha tokë bujqësore, ndërsa numri i autokombajnave të cilat janë në dispozicion dhe të cilat janë në angazhim e sipër në fushatën e korrje shirjeve është 1400.