Foto: Zyra e Kryeministrit

Hoti e ministri Mustafa në Suharekë për fushatën e korrje-shirjeve

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa dhe kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj kanë marrë pjesë në fillimin e fushatës së korrje-shirjeve në Shirokë të Suharekës.

Hoti e Mustafa për disa minuta drejtuan edhe kombanjën në atë zonë bashkë me fermerë.

Ministri Mustafa tha se kanë shkuar për të parë nga afër fillimin e sezonës së korrje-shirjeve për vitin 2020.

“Të gjithë fermerëve në Kosovë ju urojmë bereqet për vitin 2020. Shpresojmë që të kemi rendiment të përlqyeshëm, të lartë të grurit në vendin tonë për sivjet. Ministria e Bujqësisë edhe këtë vit do të vazhdojë me subvencionimin e grurit dhe 26 kulturave tjera bujqësore, duke përfshirë këtu pastaj edhe pjesën e granteve që në total bëjnë 53 milionë euro grante dhe subvencione”, tha ai.

Kurse, kryeministri Avdullah Hoti tha se ky vit ka qenë specifik për shkak të pandemisë.

“Kur përballemi me këto situata e shohim se sa e rëndësishme është që ne të kemi prodhues dhe bujq të vyeshëm lokal. Do t’ju qëndrojmë afër. Unë ju uroj punë të mbarë, bereqet sivjet”, tha ai.

Hoti tha se një pjesë e pakos për rimëkëmbje ekonomike do të jetë edhe subvencionimi i bujqësisë.

“Pres që sa më parë që të kalojë buxheti në Kuvendin e Kosovës. Të fillojmë zbatimin komplet të pakos për rimëkmëbje ekonomike përfshirë edhe për pjesën e bujqësisë. Dëshiroj t’i lus sinqerisht të gjitha grupet parlamentare, të gjithë deputetët që të organizohet disi në këtë kohë të pandemisë”, tha Hoti.

Ai shtoi se e di që disa prej deputetëve dhe stafit të Kuvendit janë të prekur me coronavirusi, por kërkoi që të gjenden forma dhe mënyra për mbajtjen e seancës që të kalohet ndryshimi i buxhetit dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se rendimentet janë shumë të mira se vitet e kaluara.

“Diku sillen prej 4.5 ton deri në 7 ton. Bujqit janë të kënaqur. Apeloj te ministri që sa më shpejt të ndahen subvencionet”, tha ai.