Ilustrim: Foto: Komuna e Gjilanit

Taksa ‘zhdukë’ importin e grurit nga Serbia, por jo varësinë nga importi

Vendosja e takës 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës nga ana e Qeverisë së Kosovës vitin e kaluar, ka bërë që të ketë import të mallrave nga shtetet e tjera të rajonit dhe me gjerë.

Ky vendim ka shuar importin e grurit nga shteti serb, por nuk e ka mënjanuar kërkesën nga vendet e tjera, për shkak të nevojës për përmbushjen e kërkesave për konsum.

Të dhënat e siguruara nga Gazeta Jeta në Kosovë, të Doganës së Kosovës, tregojnë se prej 1 janarit deri më 9 korrik të vitit 2019, Kosova nuk e ka importuar asnjë kilogramë grurë apo lloje të farërave nga Serbia, por nga shtetet e tjera si Bullgaria, Gjermania, Kroacia, Hungaria, Italia, Maqedonia e Veriut, Holanda, Federata Ruse, Turqia dhe Ukraina.

Ndërkaq, gjatë vitit 2018, Kosova ka importuar nga Serbia një sasi të konsiderueshme të grurit prej 106,288,294 kilogramë, me vlerë 19,239,805 euro dhe me çmim 0,18 euro për kilogram pa TVSH.

Kurse, vlera totale e sasisë së grurit të importuar gjatë vitit të kaluar ka qenë 120,693,650 kilogram grurë nga këto shtete: Serbia, Bullgaria Kroacia, Hungaria, Italia, Maqedonia e Veriut, Rusia dhe Turqia.

Sa i përket vitit 2019, të dhënat e Doganës së Kosovës, tregojnë se vendi ka importuar nga shtete të ndryshme, 56,296,624.60 kilogram grurë me vlerë 12,140,116.00 euro, apo rreth 49,991,670.00 kilogram grurë më pak se vitin paraprak.

Gjatë këtij viti, Kosova nuk ka kursyer importin as nga Rusia, me që rast ka importuar 5,487,600.00 kilogram grurë, me vlerë 1,210,670.65 euro që i bie me çmim 0.22 euro për kilogram, pa TVSH.

Sa i përket embargos së vendosur nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj Rusisë në vitin 2014, Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës ka thënë për Gazetën, se nuk ka embargo në import, por në eksport të mallrave ndaj shtetit të Rusisë.

Ekzekutivi kosovar në krye me Hashim Thaçin, në shtator të vitit 2014 kishte vendosur sanksione për Federatën Ruse, si reagim për ‘shkeljen e sovranitetit të Ukrainës’.

“Vendimi është në koordinimin e plotë me partnerët e shtetit të Kosovës, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhej në njoftimin e Qeverisë.

Shteti nga i cili Kosova ka importuar më së shumti grurë këtë vit është Hungaria, me sasi 16,524,753.00 kilogram, me vlerë 3,617,242.00 euro dhe me çmim 0.21 euro për kilogram pa përfshirjen e TVSH-së, pasuar nga shtetet si Bullgaria, Kroacia, Ukraina, Rusia, Maqedonia e Veriut, Turqia, Holanda dhe Gjermania.

Çmimi i importit të grurit për kilogram nga Bullgaria ka qenë 0.20 euro pa TVSH, nga Kroacia 0.22 euro pa TVSH, nga Ukraina 0.23 euro pa TVSH, nga Maqedonia e Veriut 0.17 euro pa TVSH, nga Turqia 0.65 euro pa TVSH, nga Holanda 1.99 euro pa TVSH dhe nga Gjermania, 2.08 pa TVSH.

Në anën tjetër, njohës të prodhimtarisë bimore, vlerësojnë se Kosova megjithatë është e varur nga importi i grurit.

Sali Aliu, profesor i rregullt në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës thotë për Gazetën JnK, se sipërfaqet e mbjellja me grurë në vend nuk i mbulojnë nevojat për konsum të popullatës.

“E dimë që në raport me popullsinë dhe shpenzimet që bëhen sipërfaqet e mbjella e që janë të deklaruara nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, nuk i plotësojnë nevojat për konsum për miell e të tjera. Në njëfarë forme ne jemi të varur prej importit”, theksoi profesori universitar.

Sipas Aliut, ka disa faktorë që ndikojnë në këtë gjendje.

“Nuk është problemi që në Kosovë nuk ka mundësi ose sipërfaqe për kultivim por ka shumë arsye. Tash janë edhe subvencionet prej ministrisë, por janë edhe faktorët si neglizhenca, të rinjtë nuk duan ta punojnë tokën e të tjera që ndikojnë që një pjesë jemi të varur prej importit nga vendet fqinje”, shtoi ai për Gazetën JnK.

Gazeta Jeta në Kosovë, vitin e kaluar kishte raportuar se si vendosja e taksës fillestare prej 10 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës për produktet e Serbisë dhe Bosnjës së Hercegovinës, ndikoi që qytetarët e Kosovës të përballen me rritje të çmimeve të produkteve ushqimore, përfshirë edhe atë të bukës.

Nga 30 centë sa ishte çmimi standard i bukës, në disa komuna të Kosovës u rrit në 40 centë.

Ndërsa, Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më së shumti drithëra Kosova kishte importuar nga Serbia.

A do të ketë rendiment të mjaftueshëm me grurë këtë vit?

Në Kosovë ka ditë që ka filluar fushata e korrje-shirjeve, për të cilin proces Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) po shpreh optimizëm për rendimentin  me grurë që do të sigurohet, ndonëse ndryshe parashikohet nga profesor të bujqësisë.

Albulena Maloku, zyrtare e lartë për Komunikim me Publikun në këtë ministri, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se,  bazuar në statistikat e grumbulluara nga terreni, konstatohet se gjendja e sipërfaqeve të mbjella me drithëra të bardha e në veçanti me grurë është e kënaqshme.

“Nga 50,000.00 hektarë sipërfaqe të mbjella me grurë, pritet rendiment mesatar prej rreth 4000 kilogram për hektarë. Procesi i korrje shirjeve ka filluar në Komunën e Prizrenit, Suharekës dhe Rahovecit duke u zgjeruar pastaj në mënyrë graduale edhe në komunat tjera”, thuhet në përgjigjen e saj.

Sipas Malokut, numri i autokombajnave, të cilat janë në dispozicion dhe pritet që të angazhohen në fushatën e korrje shirjeve është rreth 1400.

“Ndërkaq, hambarët e fermerëve kosovarë sivjet pritet të mbushen me 180,000.00 – 200,000.00 tonë grurë, mirëpo këto të dhëna do të dihen më saktë me përfundimin  e fushatës së korrje-shirjeve”, ka thënë zyrtarja e MBPZhR-së.

Kjo ministri ka bërë të ditur se edhe këtë vit i mbështet fermerët që kultivojnë drithëra përmes subvencioneve.

“Shuma e mbështetjes përmes subvencioneve është  150 euro/ha. Nga shuma totale e programit te subvencioneve që është 25,000,000.00 euro, vetëm për kulturën e grurit janë 6,600,000.00 euro”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Gazetën JnK.

Por, sipas profesorit universitar Sali Aliu, kushtet klimatike që mbretëruan vjeshtën e kaluar, mund të ndikojnë në ulje të rendimentit me grurë këtë vit.

“Duke e pasur parasysh që vitin e kaluar ka pasur rrethana jo të mira klimatike – thatësisë, një pjesë e farës së grurit ose është mbjellë me vonesë ose fare. Ky është një prej faktorëve kyç që ndoshta këtë vit pritet që rendimenti të jetë pak i ulët”, vlerëson ai.

Aliu ndër të tjerash shton se edhe reshjet e fundit të shiut, do të mund të ndikojnë në procesin e korrje shirjeve dhe cilësisë së grurit.

“Edhe tash sidomos në rrafshin e Kosovës, pas reshjeve të fundit të shiut, do të ndikojë goxha shumë në uljen e rendimentit për shkak se gruri veç na fazën e pjekjes dhe lagështia normal që ndikon negativisht për ato sipërfaqe që nuk janë korrur”, përfundoi profesori i Bujqësisë për Gazetën Jeta në Kosovë.