Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi: Serbia po Frikëson Qytetarët në Veri

Në një deklaratë për media, Presidenti Thaçi tha sot se Serbia me veprimet e saj po ndjell frikë dhe urrejtje ndëretnike te serbët e veriut.

“Kjo propagandë e orkestruar nga Serbia synon frikësimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në veri të vendit dhe pengimin e procesit të integrimit të plotë të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës,” tha Thaçi në deklaratë.

Sipas Thaçit, praktikat e tilla të Serbisë nuk i ndihmojnë normalizimit të marrëdhënieve.

Thaçi në deklaratë siguroi qytetarët që jetojnë në veri se nuk do t’u vijë asnjë e keqe nga institucionet kosovare të sigurisë.

“Dua ta siguroj komunitetin serb që jeton në Kosovë se asnjë e keqe kurrë nuk do t’u ndodhë atyre nga ana e institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë demokratike dhe mbrojnë jetën e të gjithë qytetarëve kudo që janë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike,” tha Thaçi.

Disa nga mediat serbe raportuan sot për shtim të forcave të Policisë së Kosovës në veri, të cilat shkrime u demantuan nga forcat kosovare të rendit.

Thaçi kërkoi nga BE-ja dhe NATO-ja që t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë.

“Bashkimi Evropian dhe NATO-ja duhet t’ia tërheqin vërejtjen Serbisë që të përmbahet nga skenari për të nxitur një konflikt të ri në Kosovë dhe rajon,” tha Thaçi në deklaratë.

Dje, kryeministrat dhe presidentët e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel në përpjekje për të ulur tensionet, por ky takim zgjati pak dhe përfundoi pa u komentuar nga liderët e të dy shteteve.

http://kallxo.com/takimi-ne-bruksel-mbyllet-shpejt-dhe-ne-heshtje/