Thaçi: Punëtori sot vlerësohet më shumë

Presidenti Hashim Thaçi bëri të ditur se u bashkohet kërkesave të punëtorëve për kushte më të mira të punës.

Thaçi përmendi në facebook se disa herë janë rritur pagat, ndërsa konstatoi se ato janë të përafërta me pagat në rajon.

“Çdo punëtor në Kosovë, sot vlerësohet më shumë se në të kaluarën. I kemi rritur disa herë pagat dhe tash ato janë pothuajse në nivel të barabartë me vendet e rajonit”, shkroi Thaçi.

Ai e pranoi se ligjet që prekin punëtorët duhet të zbatohen më mirë.

“Kemi hartuar ligje moderne që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, por kërkohet një zbatim dhe monitorim më i mirë i tyre”, tha Thaçi.

Ai duke njohur pikëpamjet e ndryshme për 1 Majin, tha se në Kosovë kjo ditë gjithmonë është konsideruar festë.

“Varësisht prej vendeve dhe kulturave të tyre, ka pikëpamje të ndryshme për 1 Majin, por kjo ditë gjithmonë është festuar te ne”, vijoi postimi i Thaçit.

Ai megjithatë bëri të ditur se do të angazhohet për përmirësim të kushteve në punë.

“Unë ndaj shqetësimin me të gjithë punëtorët, si të sektorit publik, ashtu edhe të atij privat, si dhe u bashkohem kërkesave të tyre për kushte më të mira të punës dhe të drejta më shumë për punëtorët”, shkroi Thaçi.

Sot në Prishtinë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës protestoi kundër shkeljes së të drejtave të punëtorëve. Edhe aktivitete tjera kundër vdekjeve në punë u zhvilluan më 1 maj.