Presidenti Thaçi në Council on Foreign Relations – Foto: Facebook/HashimThaçi

Thaçi në ShBA: Kosova nuk do të pranojë marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se nga takimi me ekspertët e Ballkanit Perëndimor në “Council on Foreign Relations”, në Uashington DC, ka thënë se marrëveshja gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte konstatim i përbashkët se do të sjellë paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon.

Thaçi ka shkruar se njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është qëllimi kryesor.

“Ndonëse nuk do të jetë fare proces i lehtë, arritja e kësaj marrëveshjeje është e vetmja rrugë përpara për të evituar rikthimin në tensione dhe konflikte. Njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është qëllimi ynë kryesor”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social ‘Facebook’.

Presidenti, tutje ka shkruar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është vital për Kosovën, duke shtuar se sa herë Kosova ka qenë bashkë me Shtetet e Bashkuara, ka dalë gjithmonë fitimtare.

“Edhe nëse kompromiset e bëra janë dukur të rënda në fillim, më vonë është treguar se kanë qenë vendimet më të mira strategjike. Kosova nuk do të pranojë asnjëherë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin”, thuhet në postimin e presidentit Thaçi.