Thaçi: FSK-ja shëndërrohet në ushtri me miratimin e tri ligjeve

Presidenti i Kosovës , Hashim Thaçi tha se është vizion i politikës kosovare që të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe NATO.

“FSK-ja me profesionalizmin e vetë është institucioni me i respektuar nga qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtarë. FSK-ja matet me profesionalizëm dhe aftësim me secilën forcë të shteteve tjera. Procesi i transformimit të FSK-së ka hyrë në fazën e fundit. Në muajt e ardhshëm do të miratohen tri ligje që FSK-në e bëjnë ushtri”, tha ai.

Në një vizitë në kazermën ‘Adem Jashari’, Thaçi tha se FSK do të jetë ushtri multietnike.

“Deri këtu kemi arritur me partneritet me Naton. Deri në ditën kur do të jemi gati për t’u bërë pjesë e NATO-së. Si komandant i FSK-së, dhe forcat e armatosura të Kosovës, them se kjo forcë do të mbetet krenari e popullit. Do të jetë ushtri multietnike në shërbim të çdo qytetari. Vonesa kryesore për ushtrinë ka ardhur nga mungesa e unitetit për këtë vendim, prandaj duhet të bëhemi bashkë për t’i miratuar ligjet që i hapin rrugë bërjes së ushtrisë.”, tha ai.

Tani, presidenti po vazhdon vizitën e paralajmëruar në kazermën ‘Adem Jashari’, të Forcës së Sigurisë së Kosovës ndërsa më herët kishte vizituar Ujmanin në Mitrovicën e Veriut

Në anën tjetër në kryeqytet ka filluar protesta e thirrur nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Qëllimi i protestës sipas organizatorëve është shfaqja e kundërshtimit ndaj idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Për ditë me radhë, LVV ka publikuar video promocionale dhe ka bërë tubime ku ftoi qytetarët dhe aktivistët në protestë kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve që sipas tyre nënkupton edhe shkëmbim territoresh.

Autobusë falas për aktivistë dhe qytetarët që dëshirojnë t’i bashkohen protestës janë organizuar nga LVV me nisje nga secila komunë e Kosovës.

“Të shtunën, me 29 shtator, prej orës 14:00, së bashku do të protestojmë paqësisht e qytetarisht në Prishtinë kundër pazareve me Serbinë, për sovranitetin e vendit”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.