Thaçi e Vuçiq Mund t’i Zgjidhin Problemet Kosovë– Serbi

Raportet mes Beogradit dhe Serbisë janë të ngarkuara me barrë të trashëgimisë negative prandaj kjo e vështirëson edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit.

Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviq mendon se megjithëse mund të jetë një rrugë pak më e gjatë, përmirësimi i raporteve Serbi- Kosovë është në dorën e liderëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

Gjukanoviq, i ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë”, vlerësoi se fuqia e liderëve nga Beogradi dhe Prishtina do të ishte mirë të përdorej drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Unë mendoj që edhe Beogradi edhe Prishtina sot kanë udhëheqës të fortë, së paku duket nga pozicioni im, nga këndvështrimi im. Mendoj se janë njerëz që kanë legjitimet që ta përdorin për këtë qëllim”, tha Gjukanoviq.

Ai theksoi se të dy liderët duhet t’u shpjegojnë popujve të tyre rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve për evitimin e tensioneve.

“Vuçiqi t’i shpjegojë Serbisë se pse është shumë me rëndësi t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe jo të jetë burim i tensioneve të vazhdueshme dhe që Thaçi t’u shpjegojë kosovarëve se pse është me rëndësi që Kosova të jetë shumë bashkëpunuese, që Serbinë të mos e përjetojë si dikë me të cilin duhet të jetojë në tensione, por me të cilën duhet të krijojë raporte normale”, tha kryeministri malazez.

Gjukanoviq u shpreh optimist në dialogun që sipas tij ka filluar të tregojë rezultat megjithëse nga 16 marrëveshjet e nënshkruara në mes të Serbisë dhe Kosovës, vetëm 4 prej tyre janë zbatuar në praktikë.

Implementimi i marrëveshjeve në dialogun Kosovë-Serbi monitorohet nga platforma e shoqërisë civile “BIG DEAL”.

Intervistën e plotë me kryeministrin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq për emisionin “Jeta në Kosovë” mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm: