Milo Gjukanoviq, presidenti i Malit të Zi

DPS propozon Gjukanoviqin kandidat për president

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, e ka propozuar atë si kandidat të partisë për president në zgjedhjet e ardhshme.

Këtë njoftim partia e Gjukanoviqit e bëri përmes llogarisë në Twitter.

Vendimi u mor gjatë mbledhjeve që kjo parti ka mbajtur më 24 shkurt. Gjukanoviq mori mbështetje unanime nga partia e tij për të hyrë në garë për një mandat të ri pesëvjeçar në krye të shtetit.

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi janë caktuar për 19 mars dhe kandidatët duhet të dorëzojnë aplikimet për të marrë pjesë në zgjedhje deri më 26 shkurt pranë Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

DPS është në opozitë që nga gushti i vitit 2020.

Gjukanoviq është një politikan, pushteti i të cilit në Mal të Zi ka qenë i pakontestueshëm që nga vendosja e sistemit shumëpartiak më shumë se 30 vjet më parë.

Deri më tani, kandidatët e konfirmuar për zgjedhjet presidenciale janë lideri i Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiq, dhe zëvendëskryetarja e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviq Stankoviq.

Po ashtu, është paralajmëruar se në zgjedhjet presidenciale do të garojnë edhe Aleksa Beçiq, Jamov Millatoviq dhe Goran Danilloviq./REL