Parlamenti i Malit të Zi - Foto: VOA

Mali i Zi në prag zgjedhjeve të parakohshme pas dështimit të negociatave për Qeverinë

Zgjedhjet e parakohshme duken shumë më të mundshme pasi bisedimet për formimin e një qeverie të re brenda parlamentit aktual dështuan të mërkurën, raporton Balkan Insight.

Parlamenti propozoi ish-diplomatin Miodrag Lekiq për kryeministër të emëruar më 29 dhjetor, por lëvizja qytetare në pushtet URA dhe Partia Popullore Socialiste, SNP, këmbëngulën që Lekiq duhet së pari të paraqesë parimet dhe strukturën e kabinetit të tij përpara se të mbajë një votim në parlament.

“Unë bëra gjithçka publike dhe arrita të ruaj dinjitetin e vendit në mënyrë që qeveria e tij të vendoset në Mal të Zi … Fatkeqësisht, nuk do të ketë qeveri dhe shumë forca të mposhtura në gusht 2020 do të gëzohen” – tha Lekiq për mediat, duke iu referuar vitit 2020 të rrëzimit të Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet, DPS.

Që kur qeveria e fundit, e udhëhequr nga udhëheqësi i URA-s, Dritan Abazoviq, u rrëzua më 19 gusht, anëtarët e mazhorancës qeverisëse që rrëzuan DPS-në në zgjedhjet e 2020 janë përpjekur të formojnë një qeveri të re pa shpallur zgjedhje.

Lekiç u propozua për herë të parë më 19 shtator, por shefi i DPS-së, presidenti Milo Gjukanoviq, e injoroi propozimin megjithë mbështetjen e nënshkruar të 41 deputetëve.

Shumica në pushtet më 1 nëntor miratoi një ligj të ri që frenon pushtetin e Presidentit, duke i mundësuar shumicës së deputetëve të propozojnë një kryeministër të emëruar edhe nëse Presidenti refuzon të propozojë një kandidat.

Por këto lëvizje për të formuar një qeveri të re brenda parlamentit aktual u kritikuan nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, të cilët paralajmëruan se kriza aktuale mund të kërcënojë rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE dhe të dobësojë marrëdhëniet e tij me aleatët.

Një nga krerët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, tha të mërkurën se Mali i Zi duhet të përgatitet për zgjedhje të parakohshme.

“Së pari duhet të zgjedhim gjyqtarë [të rinj] për Gjykatën Kushtetuese, anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorin e Lartë të Shtetit. Më pas kryetarja e Parlamentit Danijela Gjuroviç dhe presidenti i shtetit Milo Gjukanoviç duhet të bien dakord për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe të rregullta presidenciale në të njëjtën ditë” – tha Mandiq për mediat.

Sipas Kushtetutës, Kryeparlamentari duhet të shpallë zgjedhjet presidenciale deri në fund të janarit, por kjo mund të jetë e pamundur me një Gjykatë Kushtetuese të mbetur pa kuorum që nga 20 shtatori.

Gjykata është instanca më e lartë ligjore për ankesat për parregullsitë zgjedhore dhe bllokimi i saj tashmë ka ndikuar në zgjedhjet lokale të 23 tetorit të mbajtura në 14 komuna, kur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nuk mund të konfirmoheshin në gjashtë qytete, përfshirë kryeqytetin, Podgoricën.

Përgatiti: Arta Sopi