Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi e Quan 'Shkurtpamëse' Kauzën Kundër Demarkacionit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përsëri u ka bërë apel deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojnë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi.

Duke folur për publikimin e strategjisë së zgjerimit të Komisionit Evropian për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe duke e cilësuar si mundësi historike që Kosova të përfshihet në këtë strategji, Presidenti Thaçi i ka kërkuar deputetëve që të ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit të Malit të Zi dhe të bëjnë hapa para drejt integrimit të Kosovës në rrugën evropiane.

“E një vendim i tillë është edhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vend që ndërmori vendime të vështira në raport me Kosovën, për të cilat u jemi mirënjohës. Duhet ta bëjmë atë që është në të mirë të qytetarëve, një perspektivë evropiane e qartë dhe një lëvizje e lirë e qytetarëve tanë në Evropë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin e tij social në Facebook.

Një prej kushteve kryesore për liberalizimin e vizave për kosovarët është edhe ratifikimi i marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, të cilën Thaçi në këtë deklaratë e ka quajtur ‘kauzë shkurtpamëse’.

“Prandaj, këtu nuk ka të panjohura. Pyetja urgjente që kemi para vetes është: a do të bëjmë çka është e nevojshme për të hequr dyshimet se dëshirojmë një të ardhme në BE? A dëshirojmë t’i japim rinisë sonë një shans që të përpiqen për një të ardhme meritore në familjen evropiane? Apo dëshirojmë që t’i ngatërrojmë përgjithmonë në kauza politike shkurtpamëse”, ka shkruar ai.

“Tani nuk është koha për fajësime apo shfajësime, por për veprime në interes të shtetit dhe qytetarëve. Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm sa e nevojshme është që në këto momente të tregojmë lidership të duhur”, shtoi Thaçi.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është njëri nga kundërshtuesit më të mëdhenj të kësaj marrëveshje që është nënshkruar në gusht të vitit 2015.

Më 6 shkurt, Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, do ta vizitojë Republikën e Kosovës.

Ky është shkrimi i plotë i Presidentit, Hashim Thaçi

Pak ditë kanë mbetur deri te publikimi i Strategjisë së Zgjerimit të Komisionit Evropian për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është një mundësi historike që edhe Kosova të përfshihet denjësisht në këtë strategji dhe qytetarët e Kosovës të kenë qartësi për hapat e radhës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo qartësi, së bashku me lëvizjen e lirë dhe pa viza, do të ishin lajmi më i mirë për çdo qytetar të Kosovës në dhjetëvjetorin e pavarësisë së shtetit tonë. Bashkimi Evropian, i cili ka në dorë këtë strategji dhe vendimet e tjera të rëndësishme për vendin tonë, nuk preokupohet se çfarë dëshiron qytetari, por është i interesuar të shoh sa i kanë përmbushur kërkesat e tyre institucionet e vendit tonë.

Prandaj, këtu nuk ka të panjohura. Pyetja urgjente që kemi para vetes është: a do të bëjmë çka është e nevojshme për të hequr dyshimet se dëshirojmë një të ardhme në BE?

A dëshirojmë t’i japim rinisë sonë një shans që të përpiqen për një të ardhme meritore në familjen evropiane? Apo dëshirojmë që t’i ngatërrojmë përgjithmonë në kauza politike shkurtpamëse.

Tani nuk është koha për fajësime apo shfajësime, por për veprime në interes të shtetit dhe qytetarëve. Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm sa e nevojshme është që në këto momente të tregojmë lidership të duhur.

E një vendim i tillë është edhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vend që ndërmori vendime të vështira në raport me Kosovën, për të cilat u jemi mirënjohës. Duhet ta bëjmë atë që është në të mirë të qytetarëve, një perspektivë evropiane e qartë dhe një lëvizje e lirë e qytetarëve tanë në Evropë. HTH