Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi: E Kam Obligim Nënshkrimin e Vendimeve të Kuvendit

Presidenti Hashim Thaçi një një interevistë për rtv21.tv tha se e ka obligim ta nënshkruajë çdo vendim që i vjen nga Kuvendi, prandaj kështu do të vepronte edhe nëse do t’i shkonte vendimi për shfuqizimin e ligjit me të cilin u themelua Gjykata Speciale.

“Presidenti i vendit kushdo që të jetë ai është i obliguar të respektojë vendimet e Kuvendit. E kam obligim kushtetues dhe ligjor, jo unë vetë si Hashim Thaçi, por çdo president i vendit”, tha Thaçi.

Duke iu përgjigjur pyetjes rreth deklaratave të ambasadorëve të premten e kaluar në kohën kur nisma për shfuqizimin e ligjit të speciales u tentua të dërgohej në Kuvend, Thaçi konstatoi se nuk do ta shkelë kushtetutën për disponim të askujt.

“Nëse unë nuk do të nënshkruaj një vendim të Kuvendit, atëherë bëj shkelje ligjore dhe shkelje kushtetuese. Unë nuk e shkel kushtetutën për disponim të askujt”, tha Thaçi.

Thaçi deklaroi më tutje se “me rëndësi është që Kosova të mos dalë kundër sistemit të drejtësisë dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë në asnjë rrethanë”.

Ai konstatoi se të gjitha krimet duhet të hetohen.

“Të gjitha krimet duhet të hulumtohen, duhet t’u shkohet deri në fund dhe kushdo që ka kryer krime duhet të përballet me drejtësinë pavarësisht etnisë, kështu që nuk e shoh se askush nuk ka pretendime që t’i ikë drejtësisë dhe kjo duhet të thuhet qartë”, tha Thaçi.

Ai tha se sikur të ndodhte reforma zgjedhore dhe presidenti të zgjidhej nga populli, do të fitonte me lehtësi.

Unë e kam fituar besimin e popullit të Kosovës për të udhëhequr Kosovën në gjashtë palë zgjedhje- tri nacionale dhe tri lokale, pastaj edhe zgjedhjen time si President i vendit. Nëse kam fituar shtatë herë, do të fitoj edhe në të tetën”, përfundoi Thaçi.

Intervistën e RTV 21 me Presidentin Thaçi mund ta ndiqni në vijim.