Thaçi: Cenimi i miqësisë me ShBA është cenim i shtetit tonë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një publikimi në Facebook ka thënë që tash është momenti kur duhet të dëgjohen këshillat e aleatit të Kosovës, ShBA-së.

Gjithashtu në publikim thuhet që zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane.

Tutje në publikimin e Thaçit thuhet se teket personale të liderëve të shtetit të Kosovës po lëndojnë interesat shtetërore, gjithashtu po cenojnë miqësinë me ShBA.

“Duhet të jemi krenarë për lirinë që e gëzojmë dhe për ndërtimin e shtetit tonë. Jo shumë vite më parë, kjo ishte vetëm një ëndërr e largët. Tani është realitet i përjetshëm. Rrugëtimi ynë ishte tepër i gjatë dhe me plotë vështirësi e sakrifica. Por, ne nuk ishim të vetmuar përgjatë këtij rrugëtimi. Suksesi ynë historik do të ishte i pamundur pa ndihmën e SHBA-së dhe aleatëve tjerë perëndimorë. Prandaj, duhet të jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Ai tutje ka shkruar se miqësia e Kosovës me SHBA-në është e përhershme.

“Përkrahja amerikane nuk mund të konsiderohet e pakushtëzuar në rast se ne bëjmë gabime që i vënë në pikëpyetje interesat dhe vlerat amerikane në Kosovë, rajon dhe Evropë. Vlerat tona dhe vizioni ynë përputhen me ato amerikane. Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

“Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës. Cenimi i raporteve me SHBA-në, i kësaj aleance të shenjtë, paraqet fillimin e cenimit të shtetit tonë. Gjithashtu, as arroganca e treguar në raport me Bashkimin Evropian nuk e nderon shtetin dhe as nuk i bënë krenarë aleatët tanë dhe SHBA-në. Aleanca e Kosovës me SHBA-në peshon më shumë dhe është më e rëndësishme se interesi i kujtdo qoftë”, thuhet në postimin e presidentit Hashim Thaçi.