Gjykimi i ish-policit - Foto: KALLXO.com

Tezja Tregon Tmerrin e Përjetuar Kur Mbesa e Saj u Qëllua me Armë në Kokë

Në gjykimin e ish-policit Artim Gashi, i cili po akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj ish-gruas së tij, ka dëshmuar tezja e viktimës.

Dëshmitarja okulare në këtë rast, me lot në sy, në sallën e Gjykatës tregoi për tmerrin që kishte përjetuar në ditën kritike, kur kishte parë vajzën e motrës së saj, të shtrirë në tokë e me sy të nxjerrë jashtë.

Fillimisht, dëshmitarja deklaroi se ajo dhe viktima kishin qenë duke ecur rrugës së bashku kur papritmas ka dëgjuar një zhurmë të fuqishme të veturës. Nga ajo veturë, sipas saj, ka dalë i akuzuari Artim Gashi.

Gashi dhe viktima vetëm se kishin ca kohë që ishin ndarë.

Sipas dëshmitares, i akuzuari Gashi ka dalë nga vetura, ka tentuar ta fusë me forcë viktimën në veturë, por dëshmitarja nuk e ka lëshuar.

“Aty ka ndodhë një tollovi, nuk po di qysh me shpjegu. Unë dhe ajo deshëm të nisemi dhe të vazhdonim rrugën. Unë nuk kam ditë kurrgjëë veç kur ma ka marrë çikën nga dora, e ka tërheq prapa dhe me allti i ka mshu në kry. Unë s’e dita që pe nxjerrë armën se i kisha dalë përpara”, rrëfente dëshmitarja.

Ajo tha se në atë moment, kur e ka parë vajzën e motrës të shtrirë në tokë, nuk kishte pasur vetëdije për disa sekonda.

Pas kësaj, ajo tha se nuk i kujtohet se cili kishte qenë veprimi i radhës i të akuzuarit Artim Gashi, kjo pasi që ka qenë e fokusuar në viktimën.

“S’e di se çfarë ka ba (i akuzuari). Unë çikën e kam këqyrë. Por, më duket se ka shkuar në veturë. Kur e kom pa mbesën, aq shumë që i dilke gjak nga koka, sa krejt fytyra iu nxi, syni filloi m’i dalë”, deklaronte dëshmitarja. Gjatë kohës sa rrëfente ngjarjen asaj nuk i ndaleshin lotët.

Ndihma për ta dërguar viktimën deri në spital, sipas saj, i ka ardhur nga një person i panjohur, i cili ia kishte hapur dyert e veturës.

“Më kujtohet qysh i dalshin sytë prej vendit. Jam mundu tërë kohën me ia ndalë gjakun, Krejt fytyra ju ça. Knej i dilke plumbi a se di”, deklaroi dëshmitarja, duke shtuar: “Zoti e ka pshtu, se ai e ka vra, e ka masakru”.

E pyetur nga avokatja Fehmije Gashi- Bytyqi se a ka qenë në dijeni se mbesa ka pasur probleme me ish- bashkëshortin, të akuzuarin Gashi, e njëjta pohoi se ka qenë në dijeni se kanë pasur probleme.

Më pas një pyetje pati edhe avokati i Gashit, Ramiz Krasniqi.

Krasniqi e pyeti dëshmitaren se a është e shqetësuar, derisa dëshmitarja u përgjigj: “Unë jam e vetëdijshme, pe di çka po foli, jam shumë bile e vetëdijshme”.

Pas kësaj përgjigjeje të dëshmitares, avokati Krasniqi theksoi se nuk ka më pyetje për dëshmitaren, me arsyetimin se “e njëjta është shumë e shqetësuar dhe e gjithë deklaratën që nga fillimi deri në fund e ka dhënë duke qarë”.

E për fund, dëshmitarja dëshiroi të fliste për traumat e marra pas asaj ngjarjeje.

“Unë mbasi e kam pa këtë rast, 6 javë kam nejtë në Spital të Psikiatrisë. 2 fëmijët e mi i kam traumatizu, edhe burrin tem, edhe krejt familjen. Natën nuk muj me flejtë rahat prej atij rasti. Tërë kohën tu menu qysh mujti ashtu, ni çikë hala pa i mbush 20 vjet, … m’i dalë dy grave përpara është kollaj”, deklaroi tezja e viktimës.

Sipas aktakuzës, ngjarja kritike ka ndodhur më 2 janar 2017 rreth orës 9:30, në rr. “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se i akuzuari pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën, e cila ishte nisur për provim në Fakultet.

Më tej, aktakuza shpjegon se Gashi fillimisht e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë, mirëpo pasi e dëmtuara  kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “GLOCK”, e ka goditur atë me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia këputë indet e syrit të majtë, plumbi depërton në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç‘ rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë me pasoja të përhershme për shëndetin.

Më pas, i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ai ngarkohet me veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, si dhe të njëjtit i është konfiskuar arma e përmendur në dispozitivin e kësaj aktakuze.

I pandehuri në deklaratën e tij të dhënë në prokurori më 30 mars 2017, e kishte shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.