“Tezja e Kokainës” Qan në Seancë

Në gjykimin ku të akuzuar janë edhe Veim e Vebi Berisha dhe Alban Zena u dha fjala përfundimtare e prokurorit dhe avokatit të Valentina Tufinës.

Prokurori i Prokurorisë Speciale në fjalën përfundimtare kërkoi dënim për të akuzuarit, ndërsa Bajram Tmava, avokati i Tufinës shprehu shqetësimin për mbajtjen që dy vjet në paraburgim të klientes së tij.

Tmava shprehu habinë se si u lejua një shtetas shqiptar të vijë për ta marrë drogën në Kosovë, pa u ndaluar në kufi.

“Shqetësimi i parë ka qenë se pse është lejuar shtetasi i Shqipërisë të vijë në Kosovë kur është ditur qoftë prej organeve ndjekëse të Republikës së Shqipërisë, qoftë prej atyre të Kosovës që një sasi e substancës narkotike do të merret  në Kosovë  dhe pse i njëjti nuk është ndaluar në territorin e Republikës së Kosovës,” deklaroi Tmava.

Tmava me tej pretendoi se klientja e tij është viktimë.

“Besoj që ia ka punuar dikush, e kush është ai që ia ka punuar, as Republika e Shqipërisë e as ajo e Kosovës se ka sqaruar, ata që janë në arrati, dikush prej tyre ia ka punuar,” tha avokati Tmava.

Për shkak se e akuzuara Tufina qau thuajse gjatë tërë seancës, nuk ishte në gjendje të deklarohej se a pajtohej me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të saj.

Avokatët e te akuzuarve tjerë u pajtuan që fjalën e tyre përfundimtare ta japin më 6 korrik 2016.

Prokuroria Speciale akuzon Veim e Vebi Berishën, Alban Zenën e Valentina Tufinën se gjatë muajit qershor të vitit 2014, në bashkëpunim me të pandehurit Reald Hysolli dhe Gëzim Çela nga Shqipëria, kanë blerë dhe poseduar kokainë për ta shitur.

Sipas aktakuzës, kokaina në sasi prej 7 kilogramësh ka ardhur në Kosovë nga Shqipëria, ndërsa është përpunuar nga Valentina Tufina në shtëpinë e Veim dhe Vebi Berishës nga fshati Rosuj i Komunës së Pejës.

Kjo sasi kokaine pastaj e ndarë në 14 pako është transportuar përsëri në Shqipëri nëpërmjet Reald Hysollit.

Për rastin e përpunimit të drogës në fshatin Rosuj të Pejës, “Drejtësia në Kosovë” shfaqi një emision në korrik të vitit të kaluar.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë në lidhje me këtë rast.

http://kallxo.com/kthehet-ne-fillim-gjykimi-tezes-se-kokaines/