Do të Zhvarrosen Viktimat e Vdekjeve të Dyshimta

Tre personat që vdiqën nën rrethana të dyshimta në QKUK pritet të zhvarrosen sot.

Lajmin për zhvarrosjen e tyre e ka bërë të ditur për KALLXO.com drejtori i Departamentit për Mjekësi Ligjore Arsim Gërxhaliu.

“Me urdhër të prokurorisë sot do të zhvarrosen tre personat që ndërruan jetë në QKUK”, tha Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, një zhvarrim do të kryhet në Skenderaj, një në Regjionin e Prishtinës dhe një në Viti.

Ai tregoi se të zhvarrosurve nesër do t’u bëhet autopsia.

Dje Gërxhaliu tha për KALLXO.com se asnjëri nga rastet e dyshimta të vdekjeve nuk është dërguar në Departamentin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërsa prokurori Armend Hamiti që po merret me rastet e dyshimta të vdekjeve në QKUK, bashkë me kryeprokurorin e Prishtinës Imer Beka thanë dje se Prokuroria Themelore në Prishtinë është në fazën e mbledhjes së informatave.

Hamiti e Beka më pas treguan se varësisht nga këto informata do të pasojnë edhe veprimet tjera.