Preferencat e të rinjve | Foto: KALLXO.com
Të Rinjtë e Kosovës Paqësorë dhe Pesimistë
Sipas një hulumtimi të realizuar nga Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim, të rinjtë e Kosovës bisedojnë për politikë, i përkrahin protestat paqësore, dëshirojnë të udhëhiqen nga femrat, mirëpo janë pesimistë ndaj të ardhmes.
Në këtë hulumtim sipas prezantuesve të tij janë përfshirë 226 të rinj nga Prishtina, Lipjani, Drenasi, Podujeva dhe Malisheva.
Përfaqësuesi i Qendrës për Shërbime Humane dhe Zhvillim, Shkumbin Gashi, tha se ky raport ka si qëllim emancipimin e të rinjve.
“Ky raport është hapi i parë për me e sensibilizu publikun për çështje politike, mirëpo edhe për të krijuar një koalicion në të cilin do të përfshihen edhe mediat për të ndikuar në emancipimin e të rinjve,” tha ai.
Sipas raportit 54 për qind e të rinjve bisedojnë për politikë deri 4 herë brenda javës, 43.5 për qind disa herë në muaj, mirëpo vetëm 8 për qind e të anketuarve e konsiderojnë veten politikisht aktivë.
Diskutimet për politikë 49 për qind e të rinjve i realizojnë në ambiente familjare, kurse 25.5 për qind në kafene dhe universitete.
Sipas Shumbin Gashit, të rinjtë kanë përkrahur protestat paqësore, kurse janë shprehur kundër dhunës ndaj policëve.
“Sa u përket protestave të ligjshme vërehet një dëshirë më e madhe për këto protesta dhe këto shihen si një formë më e mirë për me i zgjedhë gjërat dhe me i kërkuar të drejtat,” tha ai.
Nga raporti del se 47.1 për qind e të anketuarve kanë përkrahur protestat e ligjshme dhe paqësore si dhe 79 për qind e tyre treguan se nuk do të gjuanin kurrë policët me gurë, edhe pse 6.75 për qind deklaruan se e kishin bërë një gjë të tillë në të kaluarën.
Sa i përket besimit në institucione, të rinjtë më shumë i besojnë FSK-së, kurse më së paku kanë treguar besim ndaj partive politike ku vetëm 4.5 për qind janë shprehur të kënaqur me to.
Sipas raportit, të rinjtë janë shprehur skeptikë ndaj të ardhmes së vendit pasi që vetëm 11.2 për qind mendojnë se situata do të përmirësohet, kurse 37.7 për qind mendojnë se ajo do të përkeqësohet.
Për të rinjtë më e rëndësishme ka qenë të pasurit e një niveli të mjaftueshëm të akomodimit, kurse nuk kanë dëshiruar që të kenë fqinjë apo udhëheqës që i takojnë komunitetit serb dhe atij LGBT.
“Më pak kanë qenë të përkrahur personat e komunitetit serb dhe LGBT dhe kjo në njëfarë forme përshtatet me mendimin gjeneral të shoqërisë, pasi që dihet se shpesh personat e këtyre dy komuniteteve paragjykohen,” tha Shkumbin Gashi.
Të anketuarit u shprehën më optimistë ndaj liberalizimit të vizave- 39 për qind e tyre mendojnë se liberalizimi do të ndryshojë gjendjen e tyre politike, 39.5 për qind e tyre presin ndryshime ekonomike nga lëvizja pa viza dhe 6.3 për qind mendojnë se do të ketë ndryshime sociale nga ky proces.
Shkumbim Gashi sqaroi se të rinjtë kanë preferuar që vendi të udhëhiqet nga një femër dhe jo nga një mashkull.
“Kjo bie ndesh me kulturën tonë ku meshkujt kanë qenë figurat udhëheqëse, mirëpo ndoshta në këtë kanë ndikuar edhe pozitat e fundit të femrave në Kosovës…që ka rritur kredibilitetin ndaj pozitave të femrave në shoqëri,” tha ai.
Raporti do të bëhet publik nesër, kurse Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim pas publikimit do të fillojë edhe krijimin e disa klubeve joformale ku të rinjtë do të bisedojnë për çështje të ndryshme që i preokupojnë.