Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Të hënën nisin diskutimet për ‘fatin’ e Telekomit

Udhëheqësia e Telekomit i Kosovës të hënën pritet që të takohet me përfaqësues të qeverisë për të diskutuar situatën e ndërmarrjes pas paralajmërimit të Z Mobile se do të përmbarojë borxhin prej 25 milionë euro.

Kompania Z Mobile i është drejtuar Telekomit të Kosovës me një ultimatum prej dy javësh për ta paguar borxhin prej rreth 25 milionë eurosh, të dalë nga vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit.

Në të kundërtën, kompania ka paralajmëruar se këtë borxh do ta dërgojë tek përmbaruesi,që në praktikë do të thotë taksë shtesë për ndërmarrjen publike.

Kjo situatë e ka lënë këtë ndërmarrje në rrezik të falimentimit nëse nuk arrihet një marrëveshje për pagesë jo të menjëhershme të borxhit.

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka thënë se e ka njoftuar qeverinë e Kosovës me këtë situatë.

Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik tha sot për KALLXO.com se të hënën do të kenë takim me udhëheqësit e Telekomit për të diskutuar hapat për të dalë nga kjo situatë.

“Dje e kanë dërgu, tash presim të hanën me u ul së bashku me kabinetin qeveritar dhe me udhëheqësinë e Telekomit dhe me pa se çfarë qasje me bë për në ditën në vijim dhe t’i koordinojmë veprimet. Për momentin në mënyrën qysh operon nëse nuk inkasohet ndonjë borxh sikurse kjo nuk rrezikohet mirëpo nëse implementohet nga përmbaruesi patjetër që e rrezikon falimentimin”, tha Lluka.

Edhe Besa Shatri, Kryesuese e Bordit të Ndërmarrjes Telekom tha se të hënën do të vendosin lidhur me këtë situatë.

“Dihet se financiarisht Telekomi e ka të pamundur këtë borxh me e pagu menjëherë. Ne e kemi njoftuar aksionarin (qeverinë) lidhur me rreziqet që i shkatohen Telekomit nëse kjo shkon në procedurë të përmbarimit edhe kostos shtesë. Të hënën gjatë ditës ka mundësi që takohemi për t’i shikuar masat që duhet me i ndërmarrë për të dalë prej kësaj situatë”, tha Shatri.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe avokatin e kompanisë Z Mobile, Virtyt Gacaferri, i cili nuk ka dashur të deklarohet për këtë çështje.

Arbitrazhi

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.

Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it,si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Borxhi tani sipas Telekomit sillet rreth 25 milionë euro.

https://kallxo.com/kompania-e-blerim-devollit-i-jep-ultimatum-telekomit-per-pagese-te-borxhit-rrezikohet-falimentimi/