Ministrja për Dialog, Edita Tahiri - Foto: Qeveria e Kosovës

Tahiri: Muri në Mitrovicë do të Hiqet

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije sot se Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për të zgjidhur problemin e krijuar në Mitrovicë, ku është ndërtuar një mur ilegal, duke cenuar lëvizjen e lirë dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit.

Edita Tahiri ka treguar se institucionet e Kosovës po punojmë së bashku me Bashkimin Evropian për zgjidhjen e këtij problemi.

“Ne jemi të vendosur për këtë çështje, do ta zgjidhim, mirëpo dëshirojmë të theksojmë se do ta zgjidhim me kujdesin më të madh duke marrë parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështjeje”, thekson komunikata e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Ajo ka siguruar se nuk do të ketë mur në qytetin Mitrovicës dhe se muri do të hiqet dhe i gjithë procesi i rivitalizimit të urës dhe rrugës për këmbësorë në anën veriore të qytetit do të realizohet në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit të nënshkruar më 25 gusht 2015.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, ministrja Tahiri përsërit se ndërtimi i këtij muri ilegal është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit.

“Në lidhje me këtë zhvillim ilegal nuk kemi pasur njohuri përveç në momentin kur është shfaqur ky mur ilegal në mbrëmjen e 6 dhjetorit 2016. Pas komunikimit të menjëhershëm me Bashkimin Evropian për të ngritur shqetësimet e shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit, ata po ashtu kanë konfirmuar të njëjtën, se nuk kanë pasur njohuri dhe se një mur i tillë është jashtë Marrëveshjes së Brukselit”, thuhet në komunikatë.

Ministrja për Dialog thekson se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masat ligjore për ndaljen e punimeve, të cilat edhe janë ndalur që nga data 7 dhjetor dhe se inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor vazhdimisht po bëjnë monitorimin e situatës.

“Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës është e angazhuar plotësisht për të ruajtur rendin dhe qetësinë duke marrë parasysh pakënaqësinë legjitime të qytetarëve për shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit dhe frikën nga skenarët djallëzorë të Serbisë”, thuhet në këtë komunikatë.

“Koha e mureve, kjo dukuri negative, nuk do të lejohet në shtetin tonë, i cili në Kushtetutën e vet ka vendosur themelet e shtetit demokratik, të lirive themelore dhe lëvizjes së lirë, të cilat askush nuk mund t’i cenojë”, thuhet po ashtu në komunikatë.

“Qeveria e Kosovës ka arritur që deri tani t’i heq të gjitha barrikadat në veri të vendit, që kanë qenë mbi njëzetë sosh dhe po ashtu hoqëm edhe barrikadën nga ura e lumit Ibër, duke falënderuar dialogun e Brukselit dhe qëndrimin tonë konsekuent në këtë proces. Prandaj, edhe këtë problem do të zgjidhim, pa mure dhe pa vonesa”, citohet të ketë thënë ministrja Tahiri.

KALLXO.com ka raportuar më 14 gusht të këtij viti kur u hoq barrikada mbi urën e Ibrit.

http://kallxo.com/nje-mur-teneqeje-ndan-aktualisht-mitrovicen/

Po ashtu, më 13 dhjetor KALLXO.com raportoi për kërcënimin e ministres Edita Tahiri se Qeveria e Kosovës do ta rrënojë murin e ndërtuar një ditë më parë në veri të Mitrovicës.

http://kallxo.com/tahiri-qeveria-e-kosoves-ta-rrenoje-murin-ne-mitrovice/

Lidhur me këtë mur, kryeministri Isa Mustafa më 8 dhjetor tha se muri “do të trajtohet sipas ligjit”.

http://kallxo.com/isa-mustafa-muri-ne-veri-te-trajtohet-sipas-ligjit/

Ndërsa sot kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se muri në Mitrovicë nuk do të ekzistojë asnjëherë.

http://kallxo.com/veseli-muri-mitrovices-nuk-te-ekzistoje-asnjehere/