Borrel: Do vazhdojmë presionin ndaj Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borell duke përkujtuar përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, ka thënë që do të vazhdojnë t’i bëjnë presion Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të lëvizin përpara në zbatimin e marrëveshjeve për normalizim të marrëdhënieve.

Kështu Borell tha në një konferencë për gazetarë më 18.03.2024 në Bruksel.

“Së shpejti do të kemi takimin tjetër të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen keq se kjo marrëveshja, e cila ishte shumë vështirë të arrihej, nuk është zbatuar. Do të vazhdojmë të bëjmë presion ndaj të dyja palëve në mënyrë që të lëvizin përpara. Por, një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa unë kisha pritur të jetë”- ka thënë shefi i diplomacisë së BE-së, raporton Radio Evropa e Lirë.

Sipas Borell, për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, Serbia dhe Kosova kanë arritur pak progres.

Më 18.03.2023 ishte arritur Marrëveshja e Ohrit, që është aneksi i Marrëveshjes bazë të datës 27.02.2023 e nënshkruar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e Ohrit përmban afatet e zbatimit të Marrëveshjes bazë, e njohur si ‘Plani Franko-Gjerman’ për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të shumta të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur përparim shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e obligimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje”- tha Borell një ditë më parë.

Tutje Borell ka thënë se Marrëveshja bazë dhe Aneksi i zbatimit të saj u arritën pas disa muaj negociatash intensive nën lehtësimin e Bashkimit Evropian për të ndihmuar palët të bëjnë një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve.

“Në kohën e një lufte të paprecedentë në shkallë të plotë në kontinentin tonë, arritja e një marrëveshjeje që premton paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, ishte një arritje historike. Për herë të parë gjatë dialogut të lehtësuar nga BE-ja, palët ranë dakord për parametra të qartë që përcaktojnë trajektoren e procesit për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Kjo Marrëveshje dhe zbatimi i saj do të tregojnë qartë se e ardhmja e të dy partnerëve është në Bashkimin Evropian”- tha shefi i diplomacisë së BE-së.

Sipas komunikatës, BE ka rikujtuar vazhdimisht se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar.

Borrell për 1-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit: Është për të ardhur keq që deri më tani ka pasur përparim shumë të kufizuar nga dy vendet