Komuna e Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Sulm me Armë ndaj Ndërtesës së Komunës së Mitrovicës

Është sulmuar me armë zjarri ndërtesa e komunës së Mitrovicës në mëngjesin e sotëm. Ky sulm vjen pas sulmit të djeshëm që ndodhi ndaj veturave zyrtare të kësaj komune. Mirëpo policia thotë së deri me tani nuk ka ndonjë informacion së këto dy raste janë të ndërlidhura në me veti.

Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës, tha se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe i ka kryer të gjitha hetimet dhe së ende nuk ka të dyshuar.

“Me ta marrë informacion, njësia e Krim teknikes ka identifikuar lokacionin përballë Komunës, nga ku dyshohet se është shtënë në drejtim të dritareve, ku si prova materiale Policia në këtë lokacion ka konfiskuar 6 (gjashtë) gëzhoja, të cilat dyshohen se i përkasin kalibrit të vogël të pistoletës”, tha Zahiti.

Ai shtoi se, sipas informacioneve që Policia ka, ky rast nuk lidhet asgjë me rastin e sulmit ndaj veturave të komunës ditën e djeshme.

“Personat e dyshuar që dje kanë sulmuar vetuar e Komunës janë në procedurë dhe dihen për policinë mirëpo rasti i sotëm deri me tani nuk ka të bëjë asgjë më rastin e ditës së djeshme”, theksoi Zahiti.

Edhe Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka dënuar ashpër të dy sulmet atë me armë zjarri në objektin e komunës dhe rastin tjetër të sulmit ndaj veturave zyrtare të komunës.

“Atakimi me armë zjarri të institucionit të komunës dhe vandalizmi i automjeteve zyrtare të komunës, që ndodhi dje në orët e mesditës, nga persona tashmë të identifikuar nga organet e rendit, ndaj të cilëve edhe ka filluar procedura hetimore, nuk do të dekurajoj kryetarin e komunës, bashkëpunëtorët e tij dhe shërbyesit civil, që me sukses të vazhdojnë ushtrimin e funksioneve dhe realizimin e përgjegjësive dhe obligimeve të tyre”, ka theksuar Bahtiri.