Studentët me ‘Unionin’ që e Kërkon Deklarata e Bolonjës
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, mori pjesë sot në ceremoninë e themelimit të Unionit të Studentëve të Republikës se Kosovës, një organ që tubon 51 studentë, përfaqësues të studentëve nga të gjitha universitetet publike dhe kolegjet private në vend.
Pjesëmarrës në ceremoninë e themelimit thanë se krijimi i këtij forumi është një nga kushtet që vendi duhet ta plotësojë për ta nënshkruar Deklaratën e Bolonjës.
Ministri Bajrami tha se studentët meritojnë standarde më të mira, diploma më të besueshme dhe të respektueshme jashtë vendit.
“Jemi duke punuar në këtë drejtim që diplomat përveç në vendet fqinje të njihen edhe më gjerë, si marrëveshja që kemi me Shqipërinë”, tha Bajrami.
Ai tha se drejtuesit e këtij unioni studentësh duhet të jenë me kredibilitet dhe detyra e vetme e tyre të jetë përfaqësimi i studentëve e jo të kenë qëllime politike.
“Tani jemi në periudhën e Universitetit dhe ketë duhet ndarë nga politika”, tha Ministri Bajrami.
Sipas tij, kriza e gjatë kishte kapluar Universitetin e Prishtinës, tashmë është e kaluar.
“UP e mbylli ciklin e krizave tani vazhdojmë me punë”, tha ai.
Duke e parë se sa problem është politika në Kosovë e sidomos në UP, edhe profesori nga Universiteti i Salzburgut, Peter Eckl, tha se ky union duhet të jetë i pavarur.
“Edukimi është hallka kryesore në zinxhirin për ndërtimin e shtetit”, tha Peter Eckl.
Kurse dekani i Fakultetit t Ekonomik të UP-së, But Dedaj, tha se ndërkombëtarizimi i UP-së është një nga synimet kryesore.
“Me shume se 20 vite jemi te mbyllur ne vetvete, dhe synim i joni nuk është qe te krahasohemi me universitete ne rajon po me gjerdhe se kjo do shume angazhim”, tha Dedaj.