Stavileci: Ekonomia po Bëhet Digjitale

Stavileci, sektorin e teknologjisë informative, e vlerësoi si një sektor që vërtet e ndryshon ritmin e zhvillimit ekonomik, sepse sipas tij bën ndryshime edhe në shumë degë të tjera të ekonomisë.

“Ideja e digjitalizimit të bizneseve, digjitalizimit të shërbimeve, është tepër e rëndësishme, sepse në këtë mënyrë u mundësoni bizneseve një vlerë të shtuar, përveç digjitalizimit edhe reduktimin e kostove operative të tyre, por edhe mundësinë që ata të jenë sa më afër konsumatorëve që kanë,” u tha Stavileci drejtuesve të kompanisë që vizitoi.

Ai foli edhe për trendët globalë ekonomikë.

“Zhvillimet e fundit globale tregojnë se gjithçka po orientohet drejt një ekonomie digjitale, i cili është një përparim modern që shkon gjithmonë me zhvillimet e fundit teknologjike dhe ne u inkurajojmë që të vazhdoni në këtë drejtim,” sugjeroi më tutje Ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Nga ana tjetër, Diedon Kica, menaxheri komerical i “Fingermarket”-it tha se qëllimi i kësaj kompanie është që të bëjë digjitalizimin e bizneseve në mënyrë që t’i mundësojë bizneseve sa më lehtë të gjejnë njëri-tjetrin, respektivisht partnerët potencialë, investitorët, por edhe produktet dhe shërbimet që janë të interesuar t’i bashkëveprojnë ndërmjet veti.

“Fingermarket” është kompani me një investim amerikano-shqiptar me bazë në ShBA.

Qëllimi kryesor i kësaj kompanie është që të krijojë komunitetin digjital mbi sektorët e ndryshëm të industrive vendore.

Kompania aktualisht ka 100 të punësuar.