Sqarimet për Gypat Kinezë

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” në një komunikatë për shtyp e pranon se gypat që po lidhin rezervuarët me fabrikën e ujit në Shkabaj drejt konsumatorëve janë të prodhimit kinez, por plotësojnë standardet evropiane.

“KUR ‘Prishtina’,  njofton opinionin e gjerë se gypi i gizës, tip DCI (Ductil Cast Iron), i cili po instalohet për furnizim me ujë të pijshëm nga vepra e marrjes në fshatin Mihaliq e deri te Fabrika e ujit në “Shkabaj” dhe deri në rezervuarët ekzistues Shkabaj dhe Arbëri, është një prodhim i Kompanisë Kineze ‘CNBM’ me qendër në Pekin, e cila prodhon në përputhje me standardin evropian EN 545,2010. Kontrolli i cilësisë së prodhimit certifikohet dhe sigurohet nga Kompania Zvicerane për Cilësi SGS”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti në një postim në faqen e tij zyrtare të Facebook-ut shkroi se gypat që po vendosen janë të vjetër, janë nga Kina dhe të standardeve që mënuk përdoren.

“Sipas informatave dhe fotove të bashkëngjitura, 330 pjesë kanë ardhur të thyera, të ndryshkura dhe në gjendje që kërkon hetim, analizë dhe kujdes të jashtëzakonshëm. 330 pjesë janë gjatësi 2 km. Pra, gypat e rinj ende pa u vendosur janë të dëmtuar në gjatësi 2 km. Është kontraktuar një kompani tjetër për të riparuar gypat ‘e rinj’ të dëmtuar,” shkroi Ahmeti.

Por KUR “Prishtina në komunikatë mohon se gypat janë të vjetër, edhe pse pranon dëmtimin e disa prej tyre.

“Gypat janë të rinj, të kualitetit të lartë, ku përgjatë transportit janë dëmtuar 326 sosh, por dëmtimi fizik i tyre është brenda standardit që lejohet për riparim, derisa dëmtimi fizik i 20 prej tyre ka qenë jashtë standardit që lejohet për riparim, kështu që 20 gypa nuk janë sjellë fare në punishte,” thuhet në komunikatën e ujësjellësit.

Ujësjellësi thotë se ky loj gypi është më i miri për furnizim të banorëve me ujë në shumë vende të botës.

Por kryetari Shpend Ahmeti paralajmëron hetimin e kësaj çështjeje.

“Transparenca është e domosdoshme. Institucionet e pavarura duhet të kërkojnë llogari po ashtu. Kësaj radhe përgjegjësia të mos ndalet vetëm te drejtori,” shkroi Ahmeti.

Kryeshefi ekzekutiv i KUR “Prishtina” Gjelosh Vataj dhe zyrtari kryesor financiar Selatin Retkoceri u shkarkuan para një jave.

http://kallxo.com/shkarkohen-gjelosh-vataj-e-selatin-retkoceri/

[interaction id=”56e87a0251c54f4063bf9ec3″]